Amir Rrahmani është prej lojtarëve me më së shumti paraqitje për Kosovën. Qendërmbrojtësi i Napolit ka 54 paraqitje e gjashtë gola me Kosovën, qëkur debutoi në shtator të vitit 2016. Tash e pesë vjet është kapiten i “Dardanëve”. Ka karrierë të pasur si futbollist, ndërsa e ka një titull të fituar në Serie A me Napolin. Eksperiencën e tij ai synon që ta përcjellë edhe te futbollistët e rinj që i bashkohen Kosovës. Krenarinë që e ka për Kosovën nuk e fsheh. Ëndërron që një ditë do të paraqitet me fanellën e “Dardanëve” në një ngjarje të madhe.
“Jam kapiten i Kosovës tash e pesë vjet dhe është krenari për mua. Shpresoj që një ditë do të luajmë në një Kampionat Evropian apo Kupë të Botës. Për mendimin tim, futbolli i Kosovës meriton më shumë vëmendje nga klubet italiane. Ka shumë talente”, ka shpjeguar Rrahmani në një intervistë dhënë të premten për radion italiane “CRC”.
Rrahmani është pjesë e Napolit prej vitit 2020. Ai u transferua te klubi napolitan nga Hellas Verona. Në të kaluarën ka luajtur edhe në Kosovë, Shqipëri e Kroaci. Por te Dinamo e Zagrebit pati sukseset më të mëdha. Dy herë e fitoi kampionatin, ndërsa një herë tjetër ishte fitues i Kupës së Kroacisë.
“Jam pjesë e Napolit për katër vjet dhe ndihem paksa napolitan. Nuk ka qenë e vështirë për mua të përshtatem me njerëzit këtu, me klubin, me qytetin. Jam shumë i kënaqur që jam këtu. Gjithmonë duhet të synojmë më shumë kur hyjmë në fushë, duam që të fitojmë ndeshje e të jemi të lumtur. Ky është synimi unë. Uroj që fitore të marrim edhe të dielën”, ka theksuar Rrahmani 30-vjeçar.
Napoli të dielën e nis kampanjën e re të elitës së futbollit italian. Luan në udhëtim te ish-skuadra e Rrahmanit, Verona.
Napoli në edicionin aktual do të udhëhiqet nga Antonio Conte, trajner që njihet për stërvitje të forta, por edhe për sukseset që ka pasur në të kaluarën.
Rrahmani ka folur për edicionin e ri dhe uron që gjithçka të shkojë mirë.
“Jemi gati për debutim. Kemi pasur stërvitje të rënda, Conte na ka bërë një gjë të tillë. Jemi grup i mirë. Mendoj se jemi gati për ta nisur kampionatin. Kam luajtur një vit te Verona. Do të jetë ndeshje ndaj ish-skuadrës, por kjo nuk ka rëndësi. Unë kam synim ta fitoj çdo ndeshje. Conte dëshiron që ne të jemi të përgatitur për çdo ndeshje dhe t’i përballojmë ndeshjet e ligës dhe të kupës. Punojmë si ekip dhe jemi të bashkuar”.
Conte preferon që të luajë me tre mbrojtës prapa. Me formacion të tillë, Rrahmani është mësuar në të kaluarën, edhe sa ishte pjesë e Veronës. Dhe për çdo ndryshim, Rrahmani thotë se është i gatshëm.
“Ne jemi lojtarë dhe të gatshëm për të bërë gjithçka, edhe kur ndryshohet formacioni. Kemi punuar në gjithë muajin për këtë, sepse ne duhet të mësojmë se si lëvizin bashkëlojtarët. Kemi punuar në lëvizjet me dhe pa top. Mendoj se jemi të gatshëm për çdo gjë”, ka vazhduar tutje qendërmbrojtësi i Kosovës.
Rrahmani në edicionin e kaluar zhvilloi 39 ndeshje në të gjitha garat me Napolin, derisa kontribuoi me katër gola të shënuar. Por, skuadra e tij nuk pati suksesin e synuar. Napoli përfundoi në pozitën e dhjetë në Serie A me 53 pikë.
“Goli të cilin e kujtoj? Të gjitha golat që kam shënuar kanë qenë të rëndësishëm. Një që dua ta kujtoj përherë është ai kundër Juventusit, kur fituam 5:1 në ‘Stadio Maradona’”, deklaroi Rrahmani.
Rrahmani me Kosovën do të jetë i angazhuar nga muaji i ardhshëm, kur e nis edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Kosova është në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, bashkë me Rumaninë, Lituaninë dhe Qipron.
Ndeshjen e parë Kosova e luan në “Fadil Vokrri” kundër Rumanisë, më 6 shtator.