Sulmuesit të Rapid Bukureshtit, Albion Rrahmani, i vjen keq që Kosova nuk u kualifikua në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani. Ai thotë se moskualifikimi është dëshpërues për lojtarët dhe shikuesit.
Por ish-sulmuesi i Ballkanit shpreson që të kualifikohet me Kosovën në Kampionatin Botëror të vitit 2026. 23-vjeçari nuk u paraqit për Kosovën në tri ndeshjet e fundit kualifikuese për “Euro 2024”. Ai mungoi për shkak të një lëndimi.
Rrahmani për Kosovën ka luajtur dy ndeshje, kundër Rumanisë në shtator dhe ndaj Andorrës në tetor. Vlerësohet e ardhmja e sulmit të Përfaqësueses së Kosovës.
“Na vjen keq që nuk u kualifikuam në Evropian. Është një gjë e keqe për të gjithë, për lojtarët, për tifozët, por ky është futbolli. Duhet të qëndrojmë të përulur, të punojmë shumë për ndeshjet e radhës. Po përgatitemi për Botërorin dhe shpresojmë të kualifikohemi në këtë kompeticion. Ne jemi një ekip shumë i mirë, vetëm duhet të mbajmë qëndrimin tonë dhe të punojmë shumë. Dhe një ditë do të kualifikohemi, ky është një premtim që ua bëj të gjithë tifozëve në Kosovë. Një ditë ëndrra do të bëhet realitet”, ka thënë Rrahmani në një intervistë për kanalin zyrtar të Rapidit.
Kosova ishte në grup me Rumaninë, Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën. Në Evropian u kualifikuan Rumania si e para dhe Zvicra nga pozita e dytë.
Për Rrahmanin ishte befasi kualifikimi i Rumanisë si e para nga Grupi I.
“Kualifikimi i Rumanisë nga pozita e parë ishte pak befasues, sepse të gjithë prisnim që Zvicra ta zinte këtë vend në renditje. Por Rumania luajti shumë mirë, nuk humbi asnjë ndeshje, e meritoi vendin e parë dhe kualifikimin në Evropian. Nuk e di se çfarë rruge do të ndjekë në fazën tjetër, por mbetet për t’u parë”, ka theksuar Rrahmani.
Sulmuesi ka folur për atë se si është parakalimi i tij në skuadrën rumune nga Kosova.
“Tifozët nga Kosova më mbështetën kur zgjodha të vija në Rapid. Ata i shikojnë ndeshjet tona dhe ende më mbështesin. I shoh gjithmonë në komente te postimet e klubit. E pranuan shumë mirë këtë lajm dhe thanë se po bëj hapin më të mirë për karrierën time. Për mua është shumë e rëndësishme të kem mbështetjen e tyre dhe të dëgjoj këto fjalë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe dua të luaj sa më shpejt që ta vazhdoj atë që e kam filluar”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani pati një start të mirë te Rapidi. Shënoi gjashtë gola në gjashtë ndeshje, ndërsa kontribuoi edhe me dy asistime. U lëndua në ndeshjen e Kosovës kundër Andorrës, ndërsa do të mbetet edhe për një kohë jashtë fushës.
“Rikuperimi po shkon shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për veten time, për procesin e rikuperimit dhe shpresoj të kthehem sa më shpejt në fushë. Të gjithë ata që më kanë parë kanë thënë se do të jem i gatshëm në dimër, kështu që mezi pres të kthehem dhe të luaj ndeshjen e parë në janar dhe dua të ndodhë kështu. Javën tjetër do të shkoj për një kontroll dhe pas kësaj do të filloj të vrapoj dhe patjetër do të jem gati për të luajtur në janar nëse gjërat shkojnë sipas planit”, ka thënë Rrahmani. Dëshira e tij është ta fitojë titullin me Rapidin, skuadër me të cilën ka kontratë deri në qershor të vitit 2026.