Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte, Napoli, është duke e vuajtur shumë mungesën e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani.
Napoli të shtunën mbrëma e humbi edhe një tjetër ndeshje në elitën italiane të futbollit. U mposht 1:0 në udhëtim te Torino, në ndeshjen e xhiros së shtatë të Serie A.
Faza e mbrojtjes ka ngritur alarmin te Napoli, që nuk e ka mbajtur portën e paprekur për 50 ditë, prej 30 gushtit.
“Tuttomercatoweb” ka shkruar të dielën se kriza e Napolit ka nisur pas mungesës së lojtarit kryesor të mbrojtjes, Amir Rrahmani.
“Mbrojtësi kosovar është pika kyçe, që është në gjendje të dhurojë balancimin dhe mungesa e tij prej muajit shtator me përfaqësuesen, ka ndikim të jashtëzakonshëm. Për fat të mirë të Contes, ka lajme pozitive për të”, ka shkruar “Tuttomercatoweb”.
Ndërkohë, mediumi tjetër italian, “La Gazzetta dello Sport”, ka raportuar se në qendrën stërvitore të Napolit ka optimizëm për kthim të shpejtë të mbrojtësit, Rrahmani.
Rrahmani mund të kthehet në formacionin titullar të Contes në kohë për ndeshjen ndaj Interit. Ndeshja Napoli – Inter luhet të shtunën e ardhshme.
Rikuperimi është shumë i rëndësishëm për rindërtimin e murit të mbrojtjes, me të cilin është mburrur Napoli në sezonin e kaluar.
Por pritja e qendërmbrojtësit të Kosovës nuk mund të jetë arsyetim për ndeshjen e ardhshme evropiane.
Dueli i ardhshëm i Ligës së Kampionëve në Eindhoven ndaj PSV-së është goxha i rëndësishëm. Rrahmani nuk do të jetë i pranishëm as në atë duel që luhet të martën mbrëma. Napoli duhet të jetë në formën më të mirë pavarësisht se kush luan në fushë. Trajneri Conte kërkon përgjigje të menjëhershme, pasi Evropa nuk pret.
Rrahmani ishte i grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026, ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Luajti me Zvicrën deri në minutën e 64-t dhe pati më pas lëndim muskulor. Prej 5 shtatorit, Rrahmani i mungoi Kosovës në fitoren 2:0 në Prishtinë ndaj Suedisë. Nuk luajti as në këtë muaj me Kosovën në barazimin pa gola me Slloveninë në “Fadil Vokrri” dhe në fitoren 1:0 në Goteborg ndaj Suedisë.
Me Napolin mungoi në shtatë ndeshje tjera, në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.
Nuk luajti ndaj Fiorentinas, Manchester Cityt, Pisas, Milanit, Sportingut, Genoas dhe Torinos.