Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Rrëfimi i boksieres që po bën bujë: Dikur shiste bukë për të mbijetuar, tani kërkon medaljen olimpike
    Ballina-1

    Rrëfimi i boksieres që po bën bujë: Dikur shiste bukë për të mbijetuar, tani kërkon medaljen olimpike

    02/08/2024 14:01
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Boksierja olimpike, Imane Khelif, e cila shkaktoi një debat ndërkombëtar për gjininë pasi e shkatërroi kundërshtaren për 46 sekonda të enjten, ka folur për trimërinë e saj për kapërcimin e një jete të vështirë për të arritur majat e sportit.

    Sportistja tregoi se si u ngrit nga shitja e bukës në rrugët e fshatit të saj në Algjeri për  t’u bërë heroinë sportive. Ishte një trajner që e orientoi drejt sportit për shkak të cilësive fizike që i kishte, shkruan “Daily Mail”.

    Edhe atëherë ajo u përball me paragjykime, pasi familja dhe komuniteti konservator në vendin ku jetonte e shihnin sportin si “diçka që është vetëm për burra”.

    25-vjeçarja ishte njëra prej dy sportisteve të përjashtuara nga Botërori i boksit vitin e kaluar pasi nuk përmbushën “kriteret e përshtatshmërisë gjinore”. Tani ajo po synon medalje të artë olimpike, që do të ishte realizim i ëndrrave.  Ajo avancoi në çerekfinale me fitore ndaj italianes Angela Carini.

    Por triumfi mbeti në hije të diskutimeve. Italiania u tërhoq në lot pas vetëm 46 sekondave dhe u tha trajnerëve se “nuk është e drejtë”.

    Në një intervistë të xhiruar para Lojërave, Khelifi foli për kthimin në sport, pas ndalimit që iu bë vitin e kaluar.

    “Doja t’i tregoja gjithë botës se çfarë gruaje e guximshme është Imane Khelif”.

    Paraqitja e saj në Paris pritet të jetë prej më të diskutuarave në histori të Lojërave Olimpike. Ka pasur tashmë shumë reagime lidhur me paraqitjen e saj në konkurrencë të boksiereve. Por, drejtuesit e lëvizjes olimpike i dolën në mbrojtje boksieres duke vlerësuar se ndaj saj po ushtrohet “agresion”.

    Khelifi ka shpërndarë deklaratën e IOC-së në rrjete sociale dhe ka shkruar: “Falënderimi i takon Zotit. Drejtësia hyjnore”.

    Gjatë meçit italiania Carini u godit dy herë. Pësoi thyerje të hundës dhe mezi dha një goditje para se t’i drejtohej këndit të saj: “Nuk është e drejtë”.

    Më pas ra në gjunjë dhe refuzoi t’ia jepte dorën Khelifit. Tha se u dorëzua për të shpëtuar jetën.

    Gjatë intervistës për Canal Algerie, e cila përmban edhe fotografi të Khelifit si vajzë e vogël, algjeriania tregoi se si u frymëzua për boks për shkak të cilësive fizike që trajneri në shkollë i pa tek ajo.

    Kur u pyet pse zgjodhi të merrej me një sport që shpesh njihet si sport për djem, Khelif u përgjigj: “Ishte një mundësi e pastër. Kurrë nuk e imagjinoja që një ditë do të bëhesha boksiere dhe se do të bëhesha kampione bote. Gjithmonë e kam dashur futbollin dhe kam luajtur për fshatin tim të vogël. Babai im gjithnjë ka preferuar futbollin para boksit. Por unë isha shumë e mirë në sport në shkollë dhe mësuesi më inkurajoi të bëhesha  boksiere pasi kisha cilësi të mira fizike. Dhe kishte të drejtë”, tha Khelif.

    Ajo tregoi se “ra në dashuri” me boksin sapo doli në ring për herë të parë. Ajo kishte fëmijëri të vështirë.

    “Unë vijë nga një rajon dhe një familje konservatore. Boksi sipas pikëvështrimit atje është vetëm për djemtë”.

    Ajo tregoi se duhej të udhëtonte nga fshati për në qytet për të stërvitur.

    “Janë pengesa që i kisha kur fillova. Më ka ndodhur të shisja bukë në rrugë. Kam mbledhur pjata dhe gjëra të tjera për të fituar para dhe për të lëvizur, sepse vija nga një familje shumë e varfër”, ka treguar boksierja aktualisht më e famshme në botë.

    Imane e përshkruan karrierën si “histori mbresëlënëse”. Ajo nisi në fshat, vazhdoi në qytetin e afërt, në kryeqytet e më pas jashtë vendit.

    Pjesëmarrja e Khelifit në garën e Parisit po sjell kundërthënie për shkak të përjashtimit të saj nga Botërori i vitit të kaluar.

    Komiteti Olimpik i Algjerisë i doli në mbrojtje duke thënë se diskualifikimi i saj nga Botërori i vitit të kaluar ishte pjesë e një komploti për të ndalur atë të fitonte medalje të artë. Sipas algjerianëve, “arsyet mjekësore” qëndrojnë prapa nivelit të lartë të testosteronit te Khalifi.

    Lin Yu-Ting e Tajvanit po ashtu ishte diskualifikuar nga Botërori.

    “Viti 2023 ishte shumë i vështirë për mua. Ishte një goditje e rëndë, por u ktheva më e fortë për të treguar forcën dhe vendosmërinë time dhe për t’i  treguar gjithë botës se çfarë gruaje trime është Imane Khelifi”, thotë ajo.

    TË LIDHURA

    Agim Ademi së bashku me ish-ekzekutivin e FIFA-së bëjnë homazhe në varrin e Fadil Vokrrit

    09/06/2025 09:17

    Ronaldo në lot feston triumfin me Portugalinë

    08/06/2025 23:51

    “French Open”, Alcarazi mbron titullin me fitore dramatike

    08/06/2025 21:36

    Lumbardh Dellova drejt Superligës turke

    08/06/2025 20:12
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.