Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Rrugëtimi i mahnitshëm – nga Suhareka në Serie A
    Ballina-1

    Rrugëtimi i mahnitshëm – nga Suhareka në Serie A

    24/07/2025 14:31
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Shumica e klubeve ku ka luajtur nuk ekzistojnë më. Por Arbenita Curraj nuk është ndalur asnjëherë. Dhe tashmë është pjesë e Serie A të Italisë.

    Futbollistja kosovare është prezantuar zyrtarisht nga Genoa, që për herë të parë do të garojë në Serie A. Me Genoan Curraj ka firmosur për dy vjet.

    Ajo është futbollistja e parë që ka nisur karrierën në Kosovë e që siguron transferim në Serie A. Për këtë është krenare.

    Curraj deri më tani ishte te Vllaznia e Shkodrës, ndërsa është pjesë shumë e rëndësishme e Kombëtares së Shqipërisë në futboll. Me Vllazninë ka fituar çdo gjë që mund të fitohet në Shqipëri dhe kalimi në një ekip më të madh, në një ligë më të madhe, ishte hap i logjikshëm.

    “Kontakti me Genoan është bërë përmes menaxherit tim, që është turk. Klubi ka shprehur dëshirë për të më angazhuar dhe më pas kemi pasur një videolidhje ku kemi diskutuar për gjëra të ndryshme. Pasi interesimi ishte i dyanshëm, kanë filluar procedurat e transferimit. Kam nënshkruar për dy vjet. Klubi është i mirë, i organizuar dhe me pretendime gjithnjë e më të mëdha. Deri më tani ka luajtur në Serie B, ndërsa për herë të parë është promovuar në Serie A. Në edicionin e parë synohet stabilizimi në Serie A e më pas synimet do të rriten”, ka thënë Curraj të enjten për KOHËN.

    Kalimi nga kampionati i Shqipërisë në kampionatin italian asnjëherë nuk është i lehtë.

    “Por më kanë ndihmuar shumë paraqitjet me Kombëtaren e Shqipërisë. Kam pasur edhe një bisedë shumë të mirë me trajnerin, që ka përvojë në Serie A dhe ka drejtuar disa skuadra në këtë nivel”, ka shtuar Curraj.

    Ajo të enjten nisi stërvitjet me Genoan. Fillimisht i kaloi me sukses kontrollimet mjekësore.

    Futbollistja suharekase luajti plot gjashtë vjet me Vllazninë e Shkodrës. I fitoi gjithë trofetë e futbollit në Shqipëri, nga disa herë, dhe po ashtu u paraqit me sukses të plotë në Ligën e Kampionëve.

    Vllaznia e Shkodrës ka arritur në fazën grupore të Championsit, që ishte sukses historik.

    “Ndoshta një lëvizje si kjo kam mundur ta bëja më herët, pasi nuk më kanë munguar ofertat. Por konsideroj se ky hap, kalimi në një kampionat të fortë evropian, vjen në kohën e duhur për karrierën time. Te Vllaznia kam kaluar ditët më të mira si futbolliste. Klubi ishte profesional, ndërsa sukseset e mëdha. Kemi luajtur me sukses edhe në Champions, ishim në 16 më të mirët. Kalimi te Genoa është natyrisht edhe meritë e Vllaznisë së Shkodrës”, thotë 28-vjeçarja që kryesisht luan mbrojtëse e krahut të majtë.

    Ajo ka nisur karrierën te një klub në Suharekë. Nisi goxha vonë, në moshën 16-vjeçare. Më pas ka luajtur për Mitrovicën, Feronikelin, Kukësin, Hajvalinë.

    “Prej të gjitha këtyre vetëm Mitrovica vazhdon aktivitetin. Klubet e tjera e kanë ndërprerë atë. Kjo është keq për futbollin, shumë klube formohen e shuhen brenda një periudhe të shkurtër”, thotë Curraj.

    Ajo tashmë i ka mbi 30 ndeshje për Shqipërinë. Dhe do të sfidohet në një kampionat që po bëhet gjithnjë e më i fortë.

    Futbolli i grave dhe vajzave në Itali po rritet hovshëm. Kualifikimi i Italisë në gjysmëfinale të Euro 2025 e dëshmon këtë.

    “Jam gati për këtë sfidë. Besoj se do të jem e suksesshme. Natyrisht, nuk do të jetë lehtë. Futbolli në Itali po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Klubet po investojnë më shumë, ndërsa lojtare cilësore po vendosin për karrierë në këtë vend. Edhe te Genoa ka shumë lojtare të mira dhe besoj se do të kemi suksese. Jam krenare që nga Suhareka ia dola të transferohem në Serie A. Mendoj se nuk është pak, duke ditur se Suhareka është qytet i vogël. Por është edhe qytet i futbollit e sportit tashmë. Lojtarë të tjerë ia dolën pasi nisën në Suharekë dhe të tjerë pres që t’ia dalin”, ka thënë Arbenita Curraj.

    TË LIDHURA

    Si pritet të luajë Juventusi me Edon Zhegrovën në formacion

    21/08/2025 17:32

    Në Zvicër shkruajnë për futbollistët shqiptarë që refuzuan Zvicrën për Kosovën apo Shqipërinë

    21/08/2025 15:07

    Ishte deklaruar gay, futbollisti i Serie A tërhiqet nga futbolli në moshën 29-vjeçare

    21/08/2025 11:47

    Tri skuadra shqiptare sonte në aksion, synojnë historinë në garat e UEFA-s

    21/08/2025 11:41
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.