Kosova do të jetë një nga kundërshtarët e Rumanisë në grupin I për ciklin eliminator të “Euro 2024” së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Dueli kundër Kosovës do të jetë interesant për rumunët pasi Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008.
Mediumi rumun, “GSP.ro” i ka dërguar pyetje Federatës së Futbollit të Rumanisë për këtë ndeshje. Nga federata rumune bëjnë me dije se do të ketë diskutime me Qeverinë e Rumanisë për këtë ndeshje.
“Duke marrë parasysh faktin se Rumania dhe Kosova u caktuan në të njejtin grup në shortin e djeshëm (e diele) dhe duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, federata rumune do të bisedojë me qeverinë për të mësuar kushtet e ndeshjeve ndaj Kosovës”, thuhet në përgjigjjen e federatës.
Në lidhje me këtë çështje, FrontOnline i ka dërguar pyetje shtëpisë më të madhe të futbollit në Evropë, UEFA.
Nga UEFA i kanë bërë me dije për pasojat që mund t’i vuajë një kombëtare apo federatë nëse vendosë të mos paraqitet në një ndeshje, e cila mund të shpie deri në përjashtimin nga gara në fjalë.
“Nëse një federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për një ndeshje e cila nuk zhvillohet apo nuk luhet plotësisht, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s e shpall ndeshjen e humbur nga federata në fjalë. Për më shumë, nëse rrethanat e rastit e justifikojnë këtë, komisioni në fjalë mund të vendosë çdo masë disiplinore të mëtejshme që konsiderohet e përshtatshme për federatën në fjalë, duke përfshirë edhe përjashtimin nga gara”, thuhet në nenin 30.01 të dërguar nga UEFA në drejtim të FrontOnline.
Nga ana tjetër, Theodor Melescanu, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, pretendon se skuadra e Edi Iordanescut nuk duhet të pranojë të luajë ndaj Kosovës.
“Kosova nuk njihet nga shumë shtete, përfshirë edhe nga ne, Rumania. Ne nuk e kemi njohur asnjëherë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
“Natyrisht, federata jonë duhet të diskutojë edhe me shtetet tjera që kanë të njëjtin qëndrim si Rumania dhe të arrijë një metodë që nuk duhet të shkatërrojë gjithë sistemin. Do të thoja se federata duhet ta bëjë një zgjidhje. Nëse jo, të mos paraqitemi në fushë dhe të humbim me rezultat zyrtar 0:3”, theksoi ai.