SC Gjilan ka njoftuar se e ka ndryshuar stemën e klubit, duke e ribrenduar atë. “Në përpjekjet tona të vazhdueshme për të forcuar identitetin dhe prezencën vizuale të SC Gjilani, kemi ndërmarrë një proces të ri-brendimit që sjell një imazh të freskët dhe të përditësuar për klubin tonë. Ky ri-brendim është bërë me një kujdes të veçantë për të ruajtur traditat dhe vlerat e klubit, ndërsa njëkohësisht përqafon një vizion modern dhe dinamik”, njofton klubi nga Gjilani.
Vazhdimi i njoftimit:
Struktura e logos sonë është ruajtur, duke respektuar historinë dhe identitetin që ka karakterizuar klubin tonë gjatë viteve. Një element i ri dhe i rëndësishëm është shtimi i një rrethi me ngjyrë ari (gold), që simbolizon legjendat dhe figurat historike të klubit tonë. Ky rreth i artë është një nderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjet dhe sukseset e SC Gjilani, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të identitetit tonë.
Një tjetër përmirësim i dukshëm është përfshirja e Skifterit si simbolin kryesor të klubit. Skifteri përfaqëson tifozët tanë të zjarrtë, të cilët janë zemra dhe shpirti i SC Gjilani. Me një dizajn të fuqishëm dhe dinamik, Skifteri reflekton energjinë, pasionin dhe përkushtimin e tifozëve tanë që gjithmonë qëndrojnë përkrah klubit në çdo situatë.
Topi klasik i futbollit është futur gjithashtu në logon e re për të theksuar vitin e krijimit të klubit. Ky element simbolik është një kujtesë e rëndësishme për rrënjët dhe traditat tona, duke e lidhur të kaluarën me të ardhmen.
Ri-brendimi i SC Gjilani është një hap i rëndësishëm për të forcuar identitetin tonë dhe për të ndërtuar një imazh që reflekton krenarinë dhe aspiratat tona. Me këtë logo të re, ne synojmë të ndërtojmë një lidhje më të fortë me tifozët tanë dhe të krijojmë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.