Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Shakhtari ka hequr dorë nga trofetë, ndihmon ushtarët e plagosur dhe jetimët e luftës
    Ballina-1

    Shakhtari ka hequr dorë nga trofetë, ndihmon ushtarët e plagosur dhe jetimët e luftës

    17/04/2023 21:01
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Objektivat e Shakhtar Donetskut dikur ishin të orientuara drejt trofeve nga argjendi. Por tani klubi i njohur i futbollit nga Ukraina ka synime më të larta – financimin e kujdesit spitalor jashtë vendit për ushtarët e plagosur dhe gjetjen e shtëpive të reja për jetimët. Shakhtari, që në vitin 2009 triumfoi në Kupën e UEFA-s, duke u bërë një prej dy skuadrave ukrainase që fituan një garë evropiane, përmes fondacionit “Shakhtar Social” nuk kurseu që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Shakhtari ka paguar nga 100.000 euro për secilin nga pesë ushtarët e plagosur rëndë që do të dërgohen për trajtim mjekësor nëpër spitalet në Izrael, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Spanjë, përcjell AFP të hënën.

    “Nuk mund ta imagjinoni se çfarë lëndimesh kanë ata”, tha shefi ekzekutiv i Shakhtarit, Sergey Palkin. “Dy prej tyre janë të paralizuar, të tjerët kanë pësuar plagë të rënda nga një shpërthim rakete. Është shumë e vështirë të kontrollosh emocionet kur i sheh. Ne duam t’u japim një shans për jetë normale, këto spitale kanë procedura shumë të sofistikuara. Familjet nuk mund t’i përballojnë ato shpenzime dhe qeveria nuk ka mundësi për të ofruar këtë ndihmë financiare, kështu që ne po kujdesemi për ta”.

    Edhe fëmijët kanë vuajtur mes vdekjes dhe shkatërrimit prej fillimit të luftës. Disa janë vrarë, disa kanë mbetur jetimë dhe të tjerë janë dërguar me dhunë në Rusi. Shakhtari po kujdeset edhe për jetimët.

    “Ne jemi kujdesur për 31 fëmijë të cilët kanë humbur prindërit për shkak të luftës dhe u kemi gjetur 17 familje”, tha Palkin. “Ne ofrojmë shpenzime jetese, trajtime mjekësore, iPad dhe përpiqemi të normalizojmë situatën nga pikëpamja psikologjike. Këta fëmijë kanë mbetur të traumatizuar nga humbja e dhunshme e prindërve të tyre”.

    Mbrojtësi ukrainas i Shakhtarit, Ivan Petryak e di shumë mirë se si është të humbasësh një anëtar të familjes. Vjehrri i tij, Ivan Petrenko u vra gjatë një aksioni rus në Donbas në maj të vitit të kaluar.

    “Djemtë që ishin me të e panë të vdiste”, tha Petryak. “Për ne si familje është situata më e keqe, pasi nuk mund ta gjejmë trupin dhe nuk mund ta bëjmë varrimin për t’i dhënë lamtumirën. Kjo është më e keqja për ne, nuk dimë çfarë të bëjmë pasi nuk kemi informacion për të”.

    Shakhtari ka përvojë të hidhur dhe e di shumë mirë se si është të jesh i zhvendosur. Klubi priti në stadiumin e tij ndeshje në Kampionatin Evropian 2012, por dy vjet më vonë u detyrua të largohet nga shtëpia pasi rusët pushtuan Krimenë. Shakhtari ka luajtur në Kiev para luftës dhe tani është vendosur në Lviv.

    Te Shakhtari nuk kanë mundur ta mendojnë se do të strehojnë më shumë refugjatë nga rajoni i Donbasit tetë vjet më vonë, ndërsa ushtria ruse sërish ka pushtuar atë pjesë.

    “Ne pranuam më shumë se 2000 refugjatë nga pjesa lindore e Ukrainës”, tha Palkin. “Ne ofrojmë ushqim, trajtim mjekësor, duke përfshirë trajtimin psikologjik dhe ndihmojmë njerëzit të përqendrohen në atë që duhet të bëjnë në lidhje me hapat e ardhshëm. Shumë shtëpi, apartamente, pasaporta dhe dokumente personale të humbura”.

    Petryak thotë se nuk mund të parashikojë një skenar ku ai do të dalë në fushë në të ardhmen kundër një skuadre ruse. “Ata janë si zombi” thotë ai për lojtarët rusë dhe mbështetjen e tyre ndaj presidentit Vladimir Putin. Ai është i habitur që presidenti i IOC-së, Thomas Bach ka lënë derën e hapur për sportistët rusë dhe bjellorusë për të garuar në Lojërat Olimpike në Paris vitin e ardhshëm.

    “Kjo është e pabesueshme. Bach e ka shumë gabim, çdo ditë na vrasin fëmijët, sportistët. Më shumë se 200 sportistë janë vrarë dhe ai dëshiron të thotë se Rusia dhe Bjellorusia lejohen në Lojërat Olimpike. Si është e mundur? Është e pabesueshme. Për mua është pak si cirk”, insiston ai.

    Futbollisti Petryak thotë se e kupton pse shumica dërrmuese e lojtarëve të huaj u larguan nga klubet e Ukrainës në formë huazimi, shkaku i konfliktit. Ai është jashtëzakonisht krenar me faktin se Shakhtari përfundoi i treti në grupin e Ligës së Kampionëve dhe arriti deri në 1/8 e finales të Ligës së Evropës, përkundër që humbi shumë talente brazilianë gjatë periudhës së luftës.

    “Disa sportistë kanë marrë armën”, tha ai. “Ne e mbështesim vendin me para dhe mund të japim më shumë nga ky aspekt. Unë nuk po i kritikoj ata që morën armën, por ne ndihemi më mirë kur luajmë, sepse më shumë para mund t’i dërgojmë ushtrisë dhe sportistëve të tjerë. Ne jemi si një familje e madhe”, insistoi futbollisti i Shakhtarit.

    TË LIDHURA

    Privatizohet FC Drenica, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura jep detaje

    28/06/2025 14:37

    Drita e ‘mëson’ rrugëtimin e saj, në rast eliminimi nga Liga e Kampionëve

    28/06/2025 12:32

    Edon Zhegrova mori një thirrje nga Lille, por e refuzoi? Futbollisti kosovar vazhdon stërvitjet në “Fadil Vokrri”

    27/06/2025 11:50

    Foda zbulon pse refuzoi ofertën milionëshe

    25/06/2025 21:54
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.