Paris Saint-Germaini është fitues i Ligës së Kampionëve pas paraqitjes brilante në finalen e zhvilluar në Munih ndaj Interit.
PSG-ja dominoi plotësisht të shtunën ndaj skuadrës italiane dhe fitoi 4:0 në “Munih Football Arena”. Për skuadrën franceze ishte trofeu i parë i Ligës së Kampionëve. Në finale ishte edhe në vitin 2020, por u mposht nga Bayern Munichu në Lisbonë, 1:0. Por pesë vjet më vonë, PSG-ja festoi pikërisht në stadiumin e skuadrës bavareze. Ndërkohë, Interi e pësoi disfatën e dytë në finale të ngjarjes kontinentale, brenda tre vjetësh. Para dy edicioneve u mposht 1:0 nga Manchester City.
Me dy gola e një asistim, ylli i mbrëmjes ishte 19-vjeçari Desire Doue.
Doue pas një aksioni të ndërtuar në mënyrë të shkëlqyer, e dha pasimin e fundit për mbrojtësin Achraf Hakimin. Hakimi realizoi në portën e zbrazët, por nuk festoi ndaj ish-skuadrës. Marokeni realizoi në minutën e 12-të.
Dominimi i parisienëve vazhdoi edhe në minutat në vijim. Tetë minuta më vonë, për 2:0 shënoi vetë Doue, sulmuesi i talentuar. Kësaj radhe ai u asistua nga Ousmane Dembele, por edhe me ndihmën e devijimit të mbrojtësit Federico Dimarco.
Doue ishte i pagabueshëm edhe në minutën e 63-të. Një veprim shumë i mirë i Dembeles në mesfushë kur pasoi për Vitinhan, në fund rezultoi me golin për 3:0. Vitinha, njëri prej më të mirëve në fushën e lojës, pasoi për Douen që ishte i pagabueshëm në minutën e 63-të.
Dembele, njëri prej kandidatëve për ta fituar “Topin e Artë” në muajin shtator, në asistues u kthye edhe në minutën e 73-të kur shënoi Khvicha Kvaratskhelia.
Gjeorgjiani i vetëm përballë portierit zviceran, realizoi për 4:0.
PSG-ja e shënoi edhe golin e pestë në minutën e 87-të, për ta bërë mbrëmjen edhe më të vështirë për Interin dhe tifozët e kësaj skuadre. 18-vjeçari Senny Mayulu me asistim të Bradley Barcolas e vendosi sfidën tre minuta para fundit. Ai shënoi edhe me ndihmën e shtyllës pingule duke e vulosur dominimin e parisienëve.
Te skuadra e Interit nga minuta e 70-të luajti mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani. Por, nuk la gjurmë si asnjëri prej bashkëlojtarëve të tij.
Me triumfin e së shtunës, PSG-ja u bë skuadra e dytë franceze që e fiton Ligën e Kampionëve.
Në finalen e vitit 1993, Marseille e kishte mposhtur 1:0 Milanin, rivalin e Interit.