Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Shpërthimi i Zhegrovës në fushë dhe në tribuna
    Ballina-2

    Shpërthimi i Zhegrovës në fushë dhe në tribuna

    02/04/2023 23:10
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Magjia e Edon Zhegrovës”. Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Lillet për paraqitjen e reprezentuesit të Kosovës në ndeshjen e Lillet ndaj Lorientit.

    Zhegrova hyri në lojë vetëm në minutën e 82-të, kur rezultati ishte 1:1. Në minutën e 89-të goditi mjeshtërisht nga një pozitë e vështirë për 2:1. Menjëherë në minutën e 91-të shpërtheu në gjysmën e fushës së kundërshtarit dhe shënoi gol edhe më të bukur për 3:1.

    Ndonëse në fushë i kaloi pak më shumë se dhjetë minuta, kjo ishte paraqitja më e mirë e reprezentuesit të Kosovës te Lille. Ndeshja i ka takuar xhiros së 29-të të kampionatit francez, ndërsa për Lillen fitorja ishte shumë e rëndësishme. Skuadra e Zhegrovës është e pesta në Ligue 1 me 42 pikë. Është në zonën që dërgon në kupa evropiane dhe në garë për pozitë edhe më të mirë.

    “Dhe magjia e Edon Zhegrovës u shfaq. Pas aktivizimit në fund të ndeshjes, kosovari kishte paraqitje për të mbajtur në mend duke shënuar dy herë për tre minuta, me dy goditje të pandalshme me këmbën e majtë. Ai ndryshoi lojën që Lille e meritoi ta fitonte”, ka shkruar sajti zyrtar i Lillet.

    Zhegrova po i ndan minutat me dy lojtarë të tjerë të Lille. Por pas paraqitjes së madhe të dielën, ai pritet të ketë më shumë hapësirë në ndeshjet e ardhshme. Për këtë ka shkruar edhe sajti zyrtar i Ligue 1.

    Në këtë edicion, 24-vjeçari ka tri gola e katër asistime në elitën franceze.

    Ai natyrisht ishte lojtari i ndeshjes. Zhegrova shkëlqeu pas kthimit te Lille nga Përfaqësuesja e Kosovës. Ai shënoi golin e vetëm në barazimin 1:1 me Andorrën, rezultat që u vlerësua i papranueshëm.

    “Sapo jam kthyer nga obligimi ndërkombëtar. Isha shumë i motivuar për të ndihmuar ekipin dhe këtë e bëra. Unë ende jam lojtar i tillë. Më pëlqen të dal në fushë dhe të ndryshoj drejtimin e lojës. Jam i lumtur që sot e kam bërë këtë”, ka thënë Zhegrova pas ndeshjes.

    Shfaqja e tij, megjithatë, nuk ka përfunduar në fushë.

    Pas ndeshjes ai doli në tribunë ku ishin tifozët ultras të Lillet. Tifozët nisën ta thërrasin emrin e tij, ndërsa kosovari kishte vendosur shallin e tifozëve përreth kokës. Në fund ia dha fanellën njërit prej tifozëve.

    “Edoni u kthye shumë mirë. Ai ishte vendimtar. Është shumë e rëndësishme që të gjithë lojtarët të jenë vendimtarë, edhe duke luajtur për dhjetë minuta. Startuesit kanë ndihmuar po ashtu ekipin. Më pëlqeu ajo që bëri Edoni. Ekipi ka besuar në fitore deri në fund”, ka thënë trajneri i Lillet, Paulo Fonseca.

    Paraqitja me Kosovën duket që e ka motivuar Zhegrovën. Ndërkohë dygolëshi vendimtar i së dielës do ta ndihmojë atë që të luajë më shumë në fazën vendimtare të kampionatit.

    TË LIDHURA

    Distria Krasniqi, xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë

    23/06/2025 20:47

    Qyteti i Oviedos e nderon Cazorlan: Sheshi kryesor do të mbajë emrin e tij

    23/06/2025 20:42

    Çfarë e bën Ardon Jasharin kaq interesant për top-ekipet?

    23/06/2025 20:38

    UEFA konfirmon datat dhe oraret e klubeve kosovare në garat evropiane

    23/06/2025 13:10
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.