Historia nuk është e re, por ka zhvillime të reja dhe mbi të gjitha jemi në pritje të një vendimi që mund të krijojë probleme të mëdha për ligat e futbollit në të gjithë botën, por edhe për arkat e FIFA-s .
Që nga viti 2017 kur Federata Ndërkombëtare e Futbollit zyrtarizoi edhe përdorimin e VAR-it në Kupën e Botës në Rusi, Francisco Lopez ka “ngritur zërin” se Federata Spanjolle e Futbollit dhe FIFA kanë abuzuar me idenë e tij, të cilën ai e kishte paraqitur fillimisht në vitin 1999 (!) dhe më pas u perfeksionua në vitin 2006.
“Duke dashur të ndihmoj futbollin që rezultatet të mos ndikohen nga gabimet e arbitrave, zhvilluam një sistem që e quajta ‘futbolli i shekullit 21’ dhe pas regjistrimit të patentës pranë autoriteteve kompetente spanjolle, i dërgova emailet përkatëse Federatës dhe FIFA-s. Po flisja vazhdimisht me José María Aranda, krahun e djathtë të Ángel María Villar, presidenti i federatës spanjolle në atë kohë dhe shefi i arbitrave të FIFA-s, dhe ka prova për të gjitha këto”, tha López.
“Shpikësi” i VAR-it vazhdon betejën ligjore me FIFA-n, Shkencëtari spanjoll u përpoq në vitin 2017 të njihej nga FIFA si krijuesi i VAR-it , por në vend të një përgjigjeje mori indiferencë. “Doja vetëm një falje dhe një njohje publike për shpikjen time”, kishte thënë ai në atë kohë duke shpallur betejën e tij ligjore kundër Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.
Dhe Lopez, pas 7 vitesh, më në fund arriti ta çojë çështjen në gjykatë, por faktet janë krejtësisht të ndryshme. Në vitin 2017 ai tha se do të kërkonte 15 milionë euro për dëmshpërblim, por tani 7 vjet më vonë jo vetëm që kërkesa e tij është rritur në 300 milionë euro, por ai po kërkon gjithashtu një urdhër të përkohshëm për të ndaluar përdorimin e VAR në ligat në mbarë botën deri sa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar!
Natyrisht, vendimi përfundimtar do të zgjasë muaj apo edhe vite, por nëse gjykata pranon urdhrin e përkohshëm për ndalimin e përdorimit të VAR-it, është e lehtë të kuptohet se ligat e larta do të tronditen.
Nuk ka ndonjë reagim të veçantë nga FIFA, por kjo nuk është e vetmja dhimbje koke për Federatën Ndërkombëtare pasi informacionet flasin se së shpejti do të ketë një vendim përfundimtar në mosmarrëveshjen me argjentinasin Pablo Silva.