Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Shpresa e madhe e Kosovës shkëlqen në turneun e famshëm gjerman
    Ballina-1

    Shpresa e madhe e Kosovës shkëlqen në turneun e famshëm gjerman

    10/01/2024 22:55
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Joshua Kimmich, Marcus Rashford, Leroy Sane, Nuri Sahin e Benedict Howedes janë disa prej emrave që në të kaluarën kanë luajtur në turneun Mercedes-Benz JuniorCup. Sot, disa nga ta janë yje të futbollit botëror.

    I tillë shpreson të jetë në të ardhmen edhe Eliot Bujupi, që në fundjavën e kaluar shkëlqeu në turneun që nisi së organizuari në vitin 1991.

    Bujupi me Stuttgartin e fitoi edicionin e 32-të të turneut që organizohet për grupmoshën U19. Madje, sulmuesi i Kosovës U19 la gjurmë duke shënuar golin e fitores 1:0 në finalen kundër Union Berlinit.

    “Për mua është ndjenjë shumë e veçantë sepse vijë nga vendi ku u mbajt turneu dhe këtu edhe fillova karrierën si lojtar në skuadrën VfL Sindelfingen si 7-vjeçar. Dhe të shënosh në të njëjtin vend gol në ndeshjen vendimtare, në vendin tim, para kaq shumë tifozëve, është si ëndërr. Ishte thjesht e papërshkrueshme”, ka theksuar Bujupi të mërkurën për KOHËN.

    Turneu “Mercedes-Benz JuniorCup” zhvillohet tradicionalisht në fillim të muajit janar.

    Këtë vit morën pjesë tetë skuadra: Stuttgarti, Rapidi i Vjenës, Brondby, Heidenheimi, Union Berlini, Freiburgu, Manchester Unitedi dhe Royal Unioni.

    Në raundin preliminar, Stuttgarti, grumbulloi shtatë pikë në tri ndeshje. Në rrethin tjetër të garës fitoi nëntë pikë nga pesë ndeshje.

    Në gjysmëfinale e eliminoi Rapidin, kurse në finale fitoi ndaj Union Berlinit. Palestra në të cilën zhvillohet turneu ka kapacitet prej afër 5300 ulëseve. Të gjitha biletat ishin të shitura për këtë turne që ka format të veçantë.

    Portieri dhe pesë lojtarë përbëjnë një skuadër, ndërsa loja ka dy pjesë nga nëntë minuta. Dy minuta ka pushim mes pjesëve, ndërsa nuk ka vija anësore apo fundore.

    Bujupi thotë se loja është shumë intensive sepse duhet të luash në mbrojtje e sulm vazhdimisht. Ka theksuar se turneu është një prej më të mirëve në Evropë.

    “Për mua ishte thjeshtë e pabesueshme sepse prisja deri në fund që të zhvillohej turneu e të merrja thirrje për pjesëmarrje. Për mua ishte ndoshta udhëtimi më i shkurtër që kam pasur ndonjëherë. Kështu që ishte shumë e rëndësishme ta përjetoja këtë përvojë dhe më pas të shënoja golin në sekondat e fundit. Ishin emocione të jashtëzakonshme”, ka theksuar Bujupi 17-vjeçar, që banon vetëm 300 metra larg palestrës ku zuri vendin e parë.

    Stuttgarti triumfoi pas 17-vjetësh, ndërsa ishte Kupa e pestë e fituar. Për herë të fundit kjo skuadër kishte fituar në vitin 2007, ndërsa zuri vendin e parë edhe në vitin 1995, 1996 dhe 2002. Bujupi shpreson që ta vazhdojë rrugën e yjeve që kanë luajtur në këtë turne.

    “Kam besim të madh se mund t’ia dal edhe si profesionist, sepse jam i përqendruar dhe i përkushtuar në punë. Kam synim para vetes që pas disa vjetësh të bëhem lojtar i nivelit të lartë”.

    Bujupi përfaqëson Kosovën U19. Debutoi në kualifikimet për “Euro 2024”. Ai shënoi nga një gol në të tri ndeshjet kualifikuese, kundër Sllovakisë, Ukrainës dhe Maltës, ku Kosova U19 siguroi kalimin në “Elite Round”.

    Kosova është në Grupin 1 ku janë edhe Austria, Spanja dhe Sllovenia.

    “Synimi im në Stuttgart është që të paraqitem mirë edhe në gjysmën e dytë të kampionatit, me gola dhe asistime. Shpresojmë që edhe me Kosovën ta kalojmë grupin në muajin mars dhe natyrisht të shënoj sa më shumë gola për ta ndihmuar dhe mbështetur ekipin tonë. Jam i bindur se mund të shkojmë në Kampionatin Evropian, e kështu të shkruajmë historinë për vendin tonë, sepse fanellën e veshim me krenari”, ka deklaruar Bujupi.

    TË LIDHURA

    Malisheva zyrtarizon talentin e Ballkanit

    09/08/2025 17:34

    Daku shënon gol, por Rubin Kazani mposhtet thellë

    09/08/2025 17:01

    Muharrem Jashari shënon golin e parë në sezonin e ri

    09/08/2025 16:59

    Ish-kapiteni i Ballkanit i futet garës për asamble komunale të Suharekës

    08/08/2025 21:03
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.