Kombëtarja shqiptare luan nesër në ora 20:45 ndeshjen e fundit të grupit B1 të vlefshme për Nations League ndaj Ukrainës në stadiumin Air Albania. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Ardian Ismajli dolën në konferencën zyrtare për media dhe folën për takimin e nesërm ndaj ukrainasve.
Trajneri Silvinjo vlerësoi ekipin e Ukrainës, por nga ana tjetër theksoi se ndeshja e nesërme është një finale për Shqipërinë. Tekniku kuqezi tha se ekipi do të futet në fushë për të dhënë gjithçka dhe nëse Kombëtarja arrin vendin e parë do të ishte diçka perfekte.
Sa e vështirë është të përgatisësh këtë ndeshje, ku mund të ndodhë gjithçka? – I bashkohem përgjigjes që dha kapiteni, që kur mbrohesh mirë është avantazh. Dua të them që nuk mbrohemi vetëm me dy lojtarë, por mbron i gjithë ekipi. Janë të gjithë lojtarët që e bëjnë lojën. Ismajli ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm ndaj Ukrainës, një ndeshje shumë e rëndësishme. Por të gjitha ndeshjet janë të ndryshme dhe secila ka rëndësinë e saj.
Kam përshtypjen që ky është grupi i vetëm nga të gjitha grupet e tjera të Nations League ku çdo gjë mund të ndodhë dhe çdo gjë është e hapur akoma edhe pse është ndeshja e fundit. Të katër ekipet e grupit janë ekipe që kanë qenë pjesë e Euro 2024, kanë lojtarë të fortë individualisht. Kam parë edhe ndeshjet e tjera, mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Është një ekip i fortë, ka cilësi individuale shumë të larta. Me gjithë respektin për ekipin e Ukrainës, por ne e kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar. Në përgjithësi të gjithë trajnerët e përgatisin ndeshjen për ta fituar, nuk futet njeri për barazim apo humbje. Mund të ndodhë çdo gjë. Ne kemi një avantazh të vogël që luajmë në shtëpi, por futbolli është i tillë. Nëse nuk pëson gol, do të kesh më shumë mundësi për të shënuar dhe për të fituar. Jemi përgatitur mirë, kemi publikun që na mbështet dhe do të luajmë për të marrë rezultat pozitiv.
Sulmi dhe a e keni gjetur zëvendësuesin e Jasir Asanit? – Ndeshja e dytë është gjithmonë më e vështirë, duke qenë se janë pak ditë në dispozicionm për t’u përgatitur dhe pak kohë për t’u rikuperuar. Mund të rikuperohen lojtarët, por duhet të kuptojmë edhe gjendjen e tyre dhe të bëjmë vlerësimet e duhura. Sot kemi edhe një stërvitje, edhe nesër do të kemi një seancë të shkurtër. Duhen 3-4 ditë për të kuptuar situatën e tyre. Duhet komunikuar edhe me lojtarin, flas me ta i dëgjoj dhe sigurisht që më takon mua zgjedhja. Asani ka bërë një rezonancë magnetike dhe duhet të bëjmë një vlerësim mbi gjendjen e tij duke diskutuar edhe me doktorin e ekipit. Do flasim edhe me lojtarin, sepse nëse lojtari më thotë që është i gatshëm patjetër që mund të shohim nëse mund të luajë. Duhet parë gjendja e tij, sot do të bëjë nxemje dhe më pas do të bashkohet me ekipin. Do të shohim pasi të përfundojë stërvitjen, do të flasim me lojtarin dhe doktorin. Nëse lojtari më thotë që nuk është gati 100%, do duhet të marrim vendimet tona.
A keni menduar të luani me dy sulmues nesër? – Uzuni është më shumë një sulmues i dytë, është lojtar i fortë dhe i shfrytëzon mirë hapësirat. Nuk do të thotë gjë që nëse luan me dy sulmues, ke më shumë mundësi dhe mund të shënosh 2-3 gola. Duhet të gjejmë një lloj ekuilibri në skuadër. Gjatë kualifikueseve që kemi bërë një vit më parë për Euro 2024, nuk kemi luajtur ndonjëherë me dy sulmues qëndrorë. Ekziston mundësia, por do të varet edhe nga cilësitë e lojtarëve dhe karakteristikat. Duhet të gjejmë ekuilibrin e skuadrës, kemi mundësi si Hoxha, Muçi. Çdo gjë është e hapur, në këtë ndeshje. Nuk preferoj të luaj me dy sulmues si Daku e Tuci në të njëjtën kohë, por preferoj të luaj me një sulmues qëndror.
Çfarë prisni nga ndeshja e nesërme? -Ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe sidomos kur një ndeshje është luajtur tre muaj më parë. Ky është një nga grupet më të balancuara të Nations League. Në ndeshjen e fundit mund të ndodhë çdo gjë. E kam parë ndeshjen Gjeorgji – Ukrainë, ishte një ndeshje e fortë. Të katërt ekipet kanë bërë Europian të mirë. Janë ekipe të mira, kanë trajner dhe lojtarë të mirë. Ne do të tentojmë të fitojmë, nesër luajmë përballë ekipit tonë. E respektojmë Ukrainën, por kjo është ndeshja e fundit që kemi shansin për të qenë të parët dhe do të japim maksimumin tonë.
Renditja në grup? – Mund të ndodhë thuajse gjithçka. Çekia nuk bie dhe Ukraina nuk merr vendin e parë, vetëm këto nuk mund të ndodhin. Gjeorgjia dhe ne luajmë për gjithçka. Ky është kompeticion shumë i shpejtë, janë vetëm 6 ndeshje. Grupi është i ekuilibruar. Nesër do të dalim në fushë, kemi një mundësi për të dalë të parët. Pastaj në fushë janë tre rezultate, do të përgatitim një ndeshje shumë të vështirë. Ukraina ka një skuadër shumë të fortë, janë një skuadër e bukur. Kemi mbështetjen e publikut në shtëpi, do të provojmë gjithçka. Në fushë nuk shkohet kurrë me frikë. Ne shkojmë në fushë për të shfrytëzuar mundësitë, për të vrapuar, pastaj kur të mbarojë ndeshja ta shohim. Por ne si objektiv duam edhe të marrim vendin e parë që do të ishte perfekt.
Mbrojtja dhe sulmi? – Skuadra është e ekuilibruar. Është e vërtetë që kemi krijuar më pak, kemi vuajtur më shumë, jemi mbrojtur mirë dhe nuk kemi shënuar. Duhet të rregullojmë diçka në sulm. Nuk i referohem vetëm sulmuesit qendror, por është për të gjithë. Kur shkon topi është çdo lojtar që bën një lëvizje apo pasim, ndërtohet aksioni nga skuadra. Ne duhet të përmirësohemi e të gabojmë më pak që në pasim e parë. Një pasim të mirë, topi ecën para, kur gabon pasimin e parë, nuk ia del kurrë të dalësh para. Edhe në ndeshjen e fundit kemi gabuar shumë në 30 minutat e para, përtej taktikës. Duhet bërë një pasim i sigurt për të ndërtuar më mirë, jam dakord në këtë sens.
A jeni supersticioz?- Nuk është se jam më lojtar (qesh). E kam diskutuar dhe me një person të afërt me mua. Për në është një finale nesër. Pas 10 minutave do të futem në fushë dhe gjëja e parë që do t’i them lojtarëve është që kjo ndeshje është një finale për ne dhe duhet të futemi në fushë me zemër dhe shpirt. Kur jam në dyshim futem në sallën e mbledhjeve dhe analizoj imazhe, video, momente të lojtarëve, aspekte ofensiv dhe difensiv për të bërë zgjedhje të qeta.
Kapiteni Ardian Ismajli foli për rëndësinë e ndeshjes ndaj Ukrainës dhe theksoi se skuadra nesër do të bëjë maksimumin për të marrë fitoren. Qendërmbrojtësi kuqezi theksoi se beson te sulmi dhe shtoi se tifozët janë një armë plus për Kombëtaren.
Sa mundësi kemi ta finalizojmë me sukses këtë kompeticion? – E dimë që tani është më vështirë, nuk varet vetëm nga ne por edhe nga rezultati i Çekisë me Gjeorgjinë. Ne do futemi në fushë vetëm për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Shpresoj të kemi fat dhe ta mbyllim në vendin e parë.
E ardhmja te Interi apo Juventusi? – Jemi te Kombëtarja. Nuk kisha dëshirë të flisja për merkaton, kemi ndeshje të rëndësishme nesër. Pas Kombëtares do e shikoni se çfarë do të bëhet në janar.
Dovbyk? – Kundërshtar të lehtë nuk ka, sidomos në Seria A të gjithë sulmuesit janë fizikë, të fortë, të shpejtë. E dimë kualitetin e Dovbyk, por nuk është se kemi frikë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë, jashtëzakonisht mirë në mbrojtje. Do analizojmë të gjithë skuadrën e Ukrainës dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.
Mbështetja e tifozëve? – Fortesa e “Air Albania” është ajo ku kemi pësuar vetëm një gol e një humbje në dy vitet e fundit, ajo ndaj Gjeorgjisë. Avantazhi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh. E patë edhe vetë të shtunën se çfarë përkrahje kemi pasur. Jam i sigurt që do të kemi nesër edhe mbështetje më të madhe dhe shpresoj që t’i kënaqim me një fitore.
Mbrojtja? – Mbrojtja ka punë gjithmonë dhe kemi të bëjmë me sulmues shumë të fortë si në ajër e tokë. Me Çekinë në ndeshjen e parë nuk është se e njihnim mirë sulmuesin e tyre. Në ndeshjen e dytë e patë që morëm masa dhe shikuam video e analizuam, ia dolëm. Shpresojmë që nesër t’ia dalim edhe me fitore.
E kemi mundur Ukrainën me përmbysje dhe i keni shënuar, shpreson te një tjetër skenar i ngjashëm? – Detyra ime është të mbroj, po doli diçka përpara, pse jo. Shpresoj se sulmuesit do të shënojnë, pse jo dhe unë. Rëndësi ka ekipi, rëndësi ka fitorja, se kush shënon nuk është problem.
Cilat janë karakteristikat e ekipit tuaj që mund t’ju bëjnë më fortë? – Publiku jonë i zjarrtë është arma plus. Çdo kundërshtar ka presionin e publikut. Ne duhet të fitojmë të bëjmë punën tonë dhe më pas të presim rezultatin e ndeshjes tjetër. Mund të arrijmë edhe “play-off”-in.
Çfarë duhet të bëjmë me Ukrainën? – Duhet të bëjmë gola, kështu është futbolli. Kemi mbrojtur mirë, por kemi pasur ngërç në sulm. Çunat nesër do të bëjnë maksimumin dhe do të shënojnë. Është ndeshja më e rëndësishme e grupit. Jam i bindur që nesër do të shënojnë sulmuesit dhe do të bëjnë më të mirën për tifozët dhe ishalla kapim vendin e parë.