Së bashku me Lionel Messin, ai ishte i destinuar të bënte protagonistin e madh të Botërorit të Katarit. Por, Cristiano Ronaldo, të paktën deri më tani, është përfolur më shumë për ngjarje që kanë shumë pak të bëjnë me paraqitjen e tij në fushë.
Ylli portugez mbërriti në Kupën e Botës me kontratë në fuqi me Manchester United dhe e gjeti veten të larguar nga “Djajtë e Kuq”, me një ofertë faraonike të Al-Nassr, së cilës do t’i përgjigjej së shpejti.
Vetëm një gol i shënuar, nga pika e bardhë, protestat me FIFA-n për t’i akorduar një tjetër me Uruguajin. Më pas gishti para gojës për t’i mbyllur gojën koreano-jugorëve në ndeshjen e fundit të grupit. Një reagim i papërshtatshëm për pjesën tjetër të botës.
Një gjest i pavlerësuar as nga trajneri Fernando Santos, i cili mori vendimin më të guximshëm nga të gjithë. Ronaldo e nisi nga stoli ndeshjen e 1/8 finale kundër Zvicrës. Nuk kishte ndodhur që nga viti 2008 që Portugalia të hiqte dorë nga CR7 prej minutës së parë në një ndeshje të Kupës së Botës apo Europianit. Por ka gjithmonë një herë të parë.
Për ta zëvendësuar, trajneri luzitan “vuri bast” për Gonçalo Ramos. Sidoqoftë, në kohën e himneve kombëtare, sytë e botës dhe thjerrëzat e fotografëve ishin të gjitha për Ronaldon. Për të shpëtuar goditjen e Cristianos në faqet e para të gazetave, Ramos shënoi tre gola. Portugalia shpërtheu me gjashtë gola ndaj helvetëve.
Do të ishin shtatë gola, sepse edhe CR7 shënoi, por arbitri ia mohoi për pozicion jashtë loje. “SIUUUU” i ngeci në fyt. Në bilbilin e fundit, të gjithë i dhanë të drejtë trajnerit Santos, që tregoi se ka një Portugali edhe pa Ronaldon. Në këtë revolucion të madh mendoi ta ndihmojë Ramos, i cili në mënyrë spektakolare e kaloi edhe kapitenin e tij në numrin e golave të shënuar në një ndeshje me eliminim direkt.
Madje ka pasur lavdi edhe për Pepe, një tjetër “relike historike” e kombëtares luzitane, i cili gjithashtu shënoi si për t’iu treguar të ulurve në stol se në këtë sport çdo gol vlen, nuk ka rëndësi kush e shënon. Dhe nuk ka rëndësi nëse fansat e Ronaldos po bien në ikonoklazë. Portugalia ka mundësinë të shkruajë një faqe të re në historinë e saj, duke lënë pas një epokë tjetër.