Njëjtë si edicionin e kaluar, Bayer Leverkuseni do të përballet me Romën në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Pas dëshpërimit të vitit të kaluar, gjërat janë më ndryshe për skuadrën gjermane. Frustimi për eliminimin e vjetshëm tani shërben si forcë shtytëse për sukses, shkruan “kicker.de” të mërkurën.
Roma dhe Bayer Leverkuseni e luajnë të enjten prej orës 21:00 në “Olimpico” gjysmëfinalen e parë të Ligës së Evropës.
Më 11 maj të vitit të kaluar, Roma kishte fituar 1:0 ndeshjen e parë, ndërsa më 18 maj rezultati ishte 0:0. Skuadra italiane kaloi në finale ku u mposht nga Sevilla me penallti.
Leverkuseni tani është ekip krejt tjetër. Ka siguruar titullin e parë të Bundesligës, është në seri impresive të ndeshjeve pa humbje dhe e ka dirigjent në mesfushë Granit Xhakën.
Te Leverkuseni e vlerësojnë më shumë se një gjysmëfinale normale këtë ndaj Romës. Eliminimi i një viti më parë ishte shumë i dhimbshëm, ndër të tjera edhe për mënyrën se si Roma festoi në Gjermani. Italianët gjatë ndeshjes së kthimit në “BayArena” ishin shumë destruktivë po ashtu.
Ajo përvojë me Romën ishte pikënisje për stinorin aktual në Ligën e Evropës.
“Para ndeshjes së parë në fazën grupore, kemi folur për atë përvojë me Romën. Dhe tani jemi kthyer në situatën ku sërish luajmë në gjysmëfinale ndaj Romës”, thotë trajneri Xabi Alonso. Ai ishte në krye të Leverkusenit edhe një vit më parë.
Leverkuseni tani qartë dëshiron ta eliminojë Romën. Dhe të vazhdojë të shkruajë histori.
“Gjysmëfinalja në Romë ishte pikënisje për këtë edicion. Kishte eufori të jashtëzakonshme në klub dhe në mesin e tifozëve. Dhe më pas dëshpërim të madh që nuk shkuam në finale”, kujton Simon Rolfes, drejtor menaxhues te Bayer Leverkuseni.
Dëshpërim më nuk ka te tifozët e Leverkusenit. Titulli i kampionit të Gjermanisë ka gëzuar shumë ata.
“Ai eliminim ishte motivim për të luftuar për sukses. Është fantastike që sërish do të luajmë me Romën”, ka shtuar Rolfes, duke lënë të kuptohet se synimi i madh është hakmarrja.
Përvoja nga viti i kaluar do t’i ndihmojë Leverkusenit. Këtë e di edhe trajneri Alonso.
“Shpresojmë shumë se rezultati do të jetë ndryshe”, thotë Alonso.
Leverkusenin e pret edhe finalja e Kupës së Gjermanisë, më 25 maj në Berlin ndaj Kaiserslauternit.
Por fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja në Romë. Synimi është edhe vazhdimi i serisë pa humbje, që tashmë ka arritur në 46 ndeshje. Asnjë skuadër në top-pesë ligat evropiane nuk ka pasur një seri të tillë në histori.
Në gjysmëfinalen tjetër të Ligës së Evropës, që është gara e dytë kontinentale për nga niveli, takohen Marseille dhe Atalanta.