Liverpooli të enjten mbrëma ka publikuar një deklaratë të trajnerit Arne Slot lidhur me vdekjen tragjike të sulmuesit Diogo Jota.
Jota vdiq në moshën 28-vjeçare, ndërsa ishte lojtar i dalluar i kampionit anglez.
“Çka të them? Çfarë mund të thotë dikush në një kohë si kjo, kur tronditja dhe dhimbja është kaq e madhe? Do të doja të kisha fjalët, por e di që nuk i kam. E tëra që kam janë ndjenja që e di se shumë njerëz do t’i ndajnë për një person dhe një lojtar që e deshëm shumë dhe një familje për të cilën kujdesemi shumë. Mendimet e mia nuk janë ato të një trajneri. Ajo janë të një babai, një vëlla, një xhaxhai dhe i përkasin familjes së Diogos dhe Andre Silvas, që përjetoi një humbje kaq të paimagjinueshme”, ka shkruar trajneri holandez i Liverpoolit.
Slot ka shkruar se familja e Diogos nuk do të ecën kurrë vetëm.
“Për ne si klub ndjenja e tronditjes është absolute. Diogo nuk ishte vetëm lojtari ynë. Ai ishte një i dashur për të gjithë ne. Ishte një shok skuadre, koleg, shok pune dhe në të gjitha rolet ai ishte shumë i veçantë”, vazhdon shkrimi i Slotit.
Trajneri i Liverpoolit thotë se Diogo i kishte të gjitha ato që duhet t’i ketë një lojtar i kësaj skuadre të madhe.
Sipas Slotit, Jota nuk kërkoi popullaritet por e gjeti atë.
“Ishte dikush që i bëri të tjerët të ndiheshin mirë me veten. Një person që kujdesej shumë për familjen e tij. Në shumë mënyra ishte një verë ëndrrash për Diogon dhe familjen e tij, gjë që e bën edhe më zemërthyes që mbaroi kështu”.
Slot ka thënë se njëra prej këngëve të para që mësoi te Liverpooli ishte ajo e tifozëve për Diogon. Dhe kjo dëshmon që ai ishte i veçantë.
“Kur të vijë koha e duhur do të festojmë Diogo Jotan, do të kujtojmë golat e tij dhe do të këndojmë këngën e tij. Për momentin do ta kujtojmë atë si një qenie njerëzore unike dhe do të vajtojmë humbjen e tij. Ai nuk do të harrohet kurrë. Emri i tij është Diogo”, përfundon letra e Arne Slotit e publikuar nga Liverpooli.