Për një episod gjatë sparingut me Tyson Furyn, boksieri shqiptar me shtetësi kroate, Agron Smakiqi, është bërë emër goxha i njohur. Javën e kaluar Smakiqi i shkaktoi çarje në vetull Furyt dhe për këtë arsye u shty meçi i shumëpritur i britanikut me Oleksandr Usykun.
Fury e Usyk është dashur të përballeshin më 17 shkurt në Riad të Arabisë Saudite, por meçi për të gjithë titujt e rëndësishëm në kategorinë e rëndë të boksit profesionist është shtyrë. Përfaqësuesit e Furyt thanë se ai ishte lënduar nga një goditje me bërryl e Smakiqit gjatë një seance sparingu. Por Smakiqi e ka mohuar këtë. 33-vjeçari, që është i lindur në Kosovë, ka theksuar se Tyson Furyt i ka dhënë goditje.
“Sparingu ishte i mrekullueshëm. Përgatitjet ishin super. Është njeri i shkëlqyer, sportist i shkëlqyer. Goditje e qëllimshme me bërryl sigurisht nuk ishte. Ishte sparing më i fortë. Më ka provokuar pak dhe më mbushi me inat. Kështu që sparingu ishte i shkëlqyer deri kur ndodhi ajo. E di që ishte goditje. Ai nuk është ankuar menjëherë pas sparingut, nuk e ka përmendur bërrylin. Edhe ai ka menduar që ishte goditje. Goditja ishte, por vetëm ka rrëshqitur drejt bërrylit. Ndoshta bërryli ka pasur ndikim që çarja të ndodhë, por ishte goditje me përqindje të madhe”, ka thënë Smakiqi për KOHËN, të hënën.
Ai ka treguar se të gjithë në kampin e Tyson Furyt kanë reaguar normalisht. Thotë se askush nuk ia la fajin, porse ishin të dëshpëruar për lëndimin që ndodhi.
“Fury ma dha dorën dhe më tha ‘respekt’. Më tha që sparingu ishte i mirë, që nuk është i inatosur dhe se gjëra të tilla ndodhin”, ka treguar Smakiqi.
Në boksin profesionist Smakiqi i ka 20 fitore e dy humbje. 18 prej fitoreve i ka me nokaut. Por, rasti me Furyn i ka dhënë dukshëm më tepër famë se luftërat në ring.
“Përfundimisht e kam pritur që të ketë bujë. Ishte një prej luftërave më të mëdha ajo mes Furyt dhe Usykut dhe pikërisht të jem unë që bëra çarjen dhe që të shtyhet meçi. Gjë e mirë dhe gjë e keqe. Në përgjithësi ishte mirë, pasi kam fituar më shumë hapësirë që njerëzit të shohin luftën time me Agit Kabayel, që është dashur ta fitonte. Kështu që është mirë për mua”, ka theksuar Smakiqi.
Më 4 mars të vitit të kaluar ai e kishte rrëzuar Kabayelin, por më pas mbeti pa forcë dhe u nokautua. Kabayel së fundi u bë i famshëm për fitoren ndaj Arslanbek Makhmudov në Riad të Arabisë Saudite. Në fakt Arabia është bërë qendër e boksit profesionist dhe e dueleve të mëdha.
Smakiqi ka treguar se ftohet shpesh në kampet para luftërave të mëdha.
“Bëj shumë sparing me sportistët elitarë. Pasi Usyk është majtak, jam ftuar shpesh në kampet e rëndësishme, që t’u ndihmoj të përgatiten për meçet ndaj tij”.
Dihet pak për të kaluarën e Agron Smakiqit. Ai flet gjuhën shqipe, por jo shumë rrjedhshëm. Është rritur në Kroaci.
“Babai im është prej Kosovës, unë jam i lindur në Kosovë. Nëna është prej Kroacisë. Kam qenë në Kosovë dy-tri herë. Kur isha i vogël kemi shkuar më shpesh. Ka kohë që nuk kam qenë. Do të vija sërish dhe do të vij. Shqip di të flas, por sikur të flisja çdo ditë me dikë, do të dija edhe më mirë. Kam mësuar edhe gjuhë të tjera dhe më pas është përzier pak”, ka thënë Agron Smakiqi.
Ai ka treguar se ka kontakt me shqiptarët që janë në boksin profesionist, por edhe në Artet Marciale të Përziera (MMA).
Smakiqi tashmë ka nisur karrierën edhe në MMA, ndërsa i ka disa duele të aranzhuara për këtë vit. Por ka synimet e tij edhe në boksin profesionist. Goditja ndaj Furyt mund t’i krijojë mundësi. Jo shumë boksierë e kanë rastin t’i shkaktojnë lëndime yllit britanik të boksit profesionist.
“Synimi është të bëj luftëra të mëdha. Dhe të kem ndonjë rast të mirë si luftërat në Riad, diçka të tillë. Sigurisht se do të ketë diçka të madhe për mua pas gjithë kësaj që ndodhi”, ka theksuar Smakiqi, që është pjesë e një familjeje me disa anëtarë në sportet luftarake.