Ish-futbollisti i shquar i Holandës, Wesley Sneijder, dyshohet se mund të jetë përfshirë në pastrimin e parave nga organizata ndërkombëtare e krimit “Komançero”, raportojnë mediat turke.
Njësia turke e inteligjencës financiare MASAK e cilësoi atë si një “partner sekret” të organizatës Shnajder mohoi akuzat nëpërmjet një statusi Instagram dhe tha se është “thellësisht i pikëlluar” nga raportimet.
“Lajmet që janë përhapur për mua që nga orët e mëngjesit në media të ndryshme, veçanërisht ato turke, nuk pasqyrojnë të vërtetën”, tha Shnajder, i cili luante për klubin turk të futbollit Gallatasaraji. “Jam thellësisht i pikëlluar për këtë lajm që po përhapet në Turqi, në shtëpinë time të dytë”.
Sipas raportit të MASAK, Sneijder ka aksione në një kompani të përfshirë në praktikat e pastrimit të parave të Komançero.
Shnajder pretendon se ai kurrë nuk ishte përfshirë në këtë veprimtari, sepse ai zotëronte vetëm aksione dhe nuk kishte asnjë lidhje me operacionet e biznesit. “Punonjësit ma prezantuan si një kompani shumë të mirë dhe në njëfarë mënyre kjo më dha besim”, u përgjigj ai. “Kam blerë aksione në mënyrë të ligjshme dhe transparente. Megjithatë, nuk kam marrë asnjë fitim në asnjë formë që nga koha kur kam blerë aksionet e deri më tani.”, shtoi ish-mesfushori i Ajaksit, realit dhe Interit.
Sneijder, që luajti 4 vite në Turqi me Gallatasarajin, gjithashtu shkroi se ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtarisht. Ish-futbollisti shtoi se do të marrë masa ligjore nëse media vazhdon të përhapë “informacione të rreme”.