“Gazzetta” përfshin një lojtar të Kosovës në përfaqësuesen “hipotetike të Jugosllavisë”

“Nga Rrahmani te Perishiqi, përmes Milinkoviq-Saviqit, Modriqit dhe Vlahoviqit: përfaqësuesja hipotetike që do të synonte triumfin në kampionat”. Kështu e ka nisur shkrimin gazeta e madhe italiane, Gazzetta dello Sport, për ekipin e mundshëm të shtetit të dikurshëm federativ, Jugosllavisë. “Kupa e Botës në Katar, Jugosllavia do të luante kështu”, është titulli i shkrimit që
“Nga Rrahmani te Perishiqi, përmes Milinkoviq-Saviqit, Modriqit dhe Vlahoviqit: përfaqësuesja hipotetike që do të synonte triumfin në kampionat”. Kështu e ka nisur shkrimin gazeta e madhe italiane, Gazzetta dello Sport, për ekipin e mundshëm të shtetit të dikurshëm federativ, Jugosllavisë.
“Kupa e Botës në Katar, Jugosllavia do të luante kështu”, është titulli i shkrimit që të premten është përcjellë edhe në Kroaci dhe vendet tjera të regjionit.
“Gazzetta” në ekipin aktualisht më të mirë të shteteve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë e ka përfshirë edhe kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmanin. Rrahmani, që luan me sukses për Napolin, është vendosur në qendër të mbrojtjes së bashku me Sead Kolashincin të Bosnjë-Hercegovinës.
“Kosova do ta kishte hapësirën e saj me shtyllën e mbrojtjes së Napolit. Fillimisht në Hellas Verona dhe më pas te Napoli, Rrahmani ishte protagonist si në Itali ashtu edhe në Evropë. Zbarkimi në Botëror do të ishte qershia mbi tortë për karrierën e tij”, ka shkruar mediumi i fuqishëm italian.
Deri më tani sa herë që janë publikuar formacione të mundshme të Jugosllavisë, nuk janë përfshirë lojtarët e Kosovës. Me Rrahmanin dhe me “Gazzetta dello Sport” kjo ka ndryshuar.
Jan Oblak i Sllovenisë është vendosur në portën e këtij formacioni të mundshëm. Mbrojtja përbëhet edhe nga Borna Sosa (Kroaci) dhe NIkola Milenkoviq (Serbi).
Kroatët Luka Modriq dhe Marcelo Brozoviq si dhe Sergej Milinkoviq-Saviq (Serbi) janë vendosur në mesfushë. Benjamin Sheshko i Sllovenisë dhe Ivan Perishiq i Kroacisë janë vendosur në krah, ndërsa në sulm do të ishte Dushan Vlahoviq.
Autori italian ka parashikuar edhe disa rezervistë, por nuk ka përfshirë lojtarë të tjerë të Kosovës. Në ekipin më të mirë të mundshëm të Jugosllavisë, nuk ka pasur vend për lojtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që po ashtu ishin në shtetin e dikurshëm federativ.
Autori ka përfshirë vetëm lojtarët që aktualisht luajnë në përfaqësueset e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë. Në të kundërtën në këtë formacion të mundshëm, fare lehtë do të zinte vend edhe Granit Xhaka, që në Botëror do të jetë me Zvicrën.




