Festa e Napolit do të vazhdojë deri në fund të edicionit

Qyteti i Napolit u zgjua të premten ende i “trullosur” nga gëzimi, pas një nate të kaluar duke festuar titullin e parë të ekipit në Serie A në 33 vjet. Festa megjithatë u dëmtua nga një vdekje dhe qindra të lënduar. “Ishte nata më e bukur”, tha Francesca Raucci, e cila po e çonte djalin
Qyteti i Napolit u zgjua të premten ende i “trullosur” nga gëzimi, pas një nate të kaluar duke festuar titullin e parë të ekipit në Serie A në 33 vjet. Festa megjithatë u dëmtua nga një vdekje dhe qindra të lënduar.
“Ishte nata më e bukur”, tha Francesca Raucci, e cila po e çonte djalin e saj në shkollë në qytetin jugor italian, pasi kishte fjetur në orën katër të mëngjesit. “Ishte një emocion unik, pati një vërshim njerëzish, ata po përqafonin njëri-tjetrin, po kërcenin”.
Gjatë gjithë natës rrugët e ngushta të Napolit ishin të mbushura me tingujt e brohoritjeve, fishekzjarrëve, makinave dhe skuterëve që u binin borive, ndërsa qytetarët valëvitnin flamuj dhe mbanin pankarta. Barazimi 1:1 i Napolit ndaj Udineses në mbrëmjen e së enjtes i ka siguruar titullin skuadrës së trajnerit Luciano Spalletti. Është titulli i parë që nga epoka e Diego Maradonas, i cili udhëhoqi ekipin napolitan drejt suksesit në vitet 1987 dhe 1990. Tifozët ishin përgatitur për javë të tëra për të festuar pasi Napoli krijoi një epërsi gjithnjë e më të paarritshme ndaj rivalit më të afërt në tabelë, Lazios. Flamujt blu dhe shamitë stolisnin çdo sipërfaqe të mundshme të qendrës së qytetit, ashtu si edhe imazhet e Maradonës dhe sulmuesit Victor Osimhen, goli i të cilit të enjten mbrëma ia siguroi titullin e kampionit klubit më të madh të Italisë jugore.
Emanuele Canzano, 42 vjeç, ishte ndër ata që nuk kanë fjetur shumë pasi kanë festuar. Por ai të premten në mëngjes u nis për në punë i lumtur, duke mbajtur veshur fanellën e Napolit. Edhe djali i tij i porsalindur po flinte me pizhame të Napolit.
“Ne pritëm 33 vjet, ai priti vetëm dhjetë ditë!”, tha Canzano duke qeshur.
Mbledhësit e mbeturinave ishin të zënë me pastrimin e rrugëve të premten në mëngjes dhe një shitës ambulant vazhdoi të përpiqej të nxiste biznesin, duke thirrur “Flamuj, fanella, shalle – Përpara Napoli!”.
Festimet u dëmtuan nga vdekja e një 26-vjeçari nga plagët e marra nga një armë zjarri, pas një incidenti në të cilin u plagosën tre persona të tjerë. Por nuk ishte menjëherë e qartë nëse të shtënat ishin të lidhura me festimet, pasi mediumet sugjeronin se viktima ishte e lidhur me një klan mafioz lokal. Gjithsej 203 persona janë trajtuar në spitalet e qytetit gjatë natës, sipas autoriteteve shëndetësore, 22 prej tyre në gjendje të rëndë. Pati plagë me thikë, persona të plagosur nga fishekzjarrët ose që vuanin nga thithja e tymit apo mbidoza e kokainës.
Suksesi i Napolit pushtoi faqet e para të të gjitha gazetave kryesore italiane të premten, ndërsa gazeta lokale “Il Mattino” botoi një shkrim special me titull: “Napoli këndon”.
“Nën shenjën e mbretit Diego” ishte një tjetër titull i saj, duke demonstruar dashurinë e qëndrueshme të qytetit të Napolit për legjendën e ndjerë. Maradona, i cili vdiq në vitin 2020 në moshën 60-vjeçare, udhëhoqi Napolin drejt dy titujve të parë, duke siguruar adhurimin e përjetshëm të tifozëve të klubit. Shumë nga ata që festonin – duke përfshirë trajnerin Spalletti – përshkruan se si Maradona po vëzhgonte ekipin.
Ish-mesfushori Alemao, i cili fitoi titullin me Napolin në vitin 1990, tha se ishte i trishtuar që shoku i tij nuk ishte gjallë për të festuar. Duke parë fitoren e Napolit “do ta kishte bërë atë vërtet të lumtur”, tha 61-vjeçari brazilian në një intervistë në qytetin e tij të lindjes Lavras, në shtetin juglindor të Minas Gerais në Brazil.
“Ai e meritonte të jetonte më gjatë”, tha Alemao.
Festimet do të zgjasin deri në fund të edicionit, pasi për fundjavë as që diskutohet. Ndeshjen e radhës Napoli e luan në shtëpi kundër Fiorentinës të dielën në mbrëmje dhe pritet të ketë një festë të çmendur. Ende euforik pas festimeve të së enjtes, Giuseppe Posticlione, 46 vjeç, u nis për në punë mes rrugëve të mbushura me shishe dhe kujtime të tjera të festës.
“Pas 33 vjetësh ishte madhështore”, tha ai për triumfin e Napolit. “E diela në stadium do të jetë e mrekullueshme dhe ne do të jemi atje. Në fakt do të festohet deri në fund të këtij edicioni”.



