Sport Ndërkombëtar

Natë e zjarrtë në Champions, Barça e Liverpooli e kërkojnë përmbysjen ndaj Atleticos e PSG-së

Natë e zjarrtë në Champions, Barça e Liverpooli e kërkojnë përmbysjen ndaj Atleticos e PSG-së

Liga e Kampioneve rikthehet sonte me dy përballje spektakolare të çerekfinales, ku gjithçka mbetet e hapur. Barcelona dhe Liverpooli do të mundohen t’i përmbysin humbjet me rezultat identik 0:2 nga ndeshjet e para, përballë Atletico Madridit dhe Paris Saint-Germain, në një mbrëmje që premton emocione të mëdha dhe dramë deri në fund. Atletico Madrid –

Besnik Batusha

Liga e Kampioneve rikthehet sonte me dy përballje spektakolare të çerekfinales, ku gjithçka mbetet e hapur.

Barcelona dhe Liverpooli do të mundohen t’i  përmbysin humbjet me rezultat identik 0:2 nga ndeshjet e para, përballë Atletico Madridit dhe Paris Saint-Germain, në një mbrëmje që premton emocione të mëdha dhe dramë deri në fund.

Atletico Madrid – Barcelona: Mision i vështirë për katalunasit në “Metropolitano”

Barcelona udhëton në Madrid me një objektiv të qartë: përmbysjen e disavantazhit nga ndeshja e parë. Një sfidë që premton intensitet maksimal, duke qenë se përballjet mes këtyre dy skuadrave këtë sezon kanë qenë të shpeshta dhe gjithmonë të luftuara.

Atletico vjen me avantazhin e dy golave dhe mbështetjen e publikut vendas, ndërsa trajneri Diego Simeone pritet të mbështetet te organizimi defanziv dhe kundërsulmet e shpejta, shkruan “Gazeta Express”.

Kapiteni i ekipit madrilen, Koke ka theksuar rëndësinë e ndeshjes: “Është një javë vendimtare për ne. Duam ta arrijmë gjysmëfinalen dhe jemi plotësisht të fokusuar.”

Nga ana tjetër, trajneri i Barçës, Hansi Flick beson ende te rikthimi, duke u mbështetur te cilësia sulmuese e ekipit të tij.

Kartoni i kuq i Pau Cubarsit ndryshoi gjithçka në lojën e parë.

Atletico e synon gjysmëfinalen e parë të Championsit pas rreth 9 vitesh. Të dy skuadrat kanë prodhuar shpesh gola në përballjet direkte këtë sezon.

Përmbysja mbetet e vështirë, por jo e pamundur për Barcelonën, e cila do të mundohet të sulmojë qysh në fillim dhe ta shfrytëzojë cilësinë e lojtarëve si Leëandoëski dhe Yamal.

Ndërsa Atletico do të kërkojë ta administrojë rezultatin dhe të godasë në kundërsulm.

Liverpool – PSG: “Anfield” kërkon një tjetër mrekulli evropiane

Në “Anfield”, Liverpooli do të përballet me një mision të ngjashëm: përmbysjen e disavantazhit 0-2 ndaj kampionëve të Evropës në fuqi, Paris Saint-Germain.

Skuadra e Arne Slot u dominua në ndeshjen e parë në Paris, ku PSG-ja ishte shumë më e rrezikshme dhe konkrete në fazën sulmuese.

Trajneri Arne Slot është optimist para lojës: “Nëse e bëjmë një paraqitje perfekte, gjithçka është e mundur”, theksoi ai.

Ndërkohë, Luis Enrique e ka paralajmëruar skuadrën e tij që të ketë kujdes nga “Të Kuqtë”, të cilët dinë të bëjnë rikthime të mëdha.

Në lojën e parë, Liverpooli nuk e realizoi asnjë goditje në portë. Por, “The Reds” janë të frikshëm në shtëpi pasi i kanë shënuar 2+ gola në 36 nga 50 ndeshjet e fundit në shtëpi.

Nga ana tjetër, PSG-ja i ka fituar disa ndeshje radhazi jashtë shtëpisë së vet pa pësuar gol.

PSG konsiderohet favorit për kualifikim me rreth 60% shanse.

Sidoqoftë, atmosfera e “Anfield” mund të jetë faktori vendimtar për Liverpoolin.

Ndërsa, PSG-ja do të mbështetet te kundërsulmet dhe forma e lojtarëve ofensivë si Kvaratskhelia.

Pra, do të jenë dy ndeshje me dy histori të njëjta: skuadra të mëdha në kërkim të përmbysjes përballë rivalëve që e kanë marrë nga një avantazh të rëndësishëm në takimet e para.

Barcelona dhe Liverpooli duhet të rrezikojnë gjithçka, ndërsa Atletico Madrid dhe PSG janë vetëm një hap larg gjysmëfinales.

Një mbrëmje ku Champions League premton spektakël të garantuar. 

Mëshumë nga Sport Ndërkombëtar

Të gjitha →
Sport Ndërkombëtar

Kampioni fiton me gol të kapitenit Odegaard

Sport Ndërkombëtar

Gruda i bashkohet Gjermanisë me formë të lartë

Sport Ndërkombëtar

Fitore për Cityn e Arsenalin, Napoli mposhtet thellë

Sport Ndërkombëtar

Fitore e pabesueshme prej 9:1 e Comos në Champions