Drita e Gjilanit ka arritur sukses historik të martën mbrëma. Drita është bërë skuadra e parë kosovare që është kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Skuadrat kosovare në kualifikimet e Championsit paraqiten nga edicioni 2017/18, por asnjëra prej tyre nuk kishte arritur në raundin e dytë kualifikues.
Kampionia në fuqi, Drita, në raundin e parë kualifikues e eliminoi kampionin e Luksemburgut, Differdange. Pas fitores 1:0 në “Fadil Vokrri” javën e kaluar, Drita kualifikimin e siguroi të martën mbrëma në Luksemburg. Ndeshjen e kthimit Drita e fitoi 3:2.
Arb Manaj, që kishte shënuar golin e fitores në Prishtinë, shkëlqeu edhe në Luksemburg.
Ai shënoi për 1:0 që në minutën e katërt. Pas një sulmi të gjatë, që u sigurua pas luftës së madhe për top të gjilanasve, Manaj shënoi me goditje nga zona. I njëjti lojtar e shënoi edhe golin për 2:0 në minutën e 17-të. Një aksion i gjatë i Dritës u pasua nga një tollovi në zonë, ndërsa Manaj ishte i vëmendshëm duke shënuar për 2:0.
Vendasit reaguan dhe ngushtuan rezultatin në 2:1 në minutën e 28-të. Theo Brusco ishte realizator.
Me rezultatin 2:1 në të mirë të Dritës përfundoi pjesa e parë.
Fundi i ndeshjes ishte dramati.
Differdange shënoi për 2:2 në minutën e 89-të. Samir Hadji shënoi nga pika e bardhë. Ndërkohë golin e fitores 3:2 për Dritën e shënoi Veton Tusha në minutën e 93-të. Ai realizoi pas një kundërsulmi për festën e madhe.