Veprimi i fundit i Taulant Hodajt i cili hapur mbështet dhe kërkon ndërhyrje nga MKRS për ta penguar mbajtjen e Kuvendit të FFK-së i thirrur me 5 shkurt të vitit 2026, tregon qartë për një luftë të tij ndaj institucionit të futbollit.
Sot, Hodaj është njëri nga kritikuesit më të mëdhenj të FFK-së, duke pretenduar se statuti i FFK-së ka mangësi të mëdha dhe nuk është i harmonizuar me Ligjin për Sport të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, Ballkani.info ka siguruar një email që vet Hodaj i ka dërguar Ministrit Çeku në vitin 2023 në të cilin i shkruante sesi FFK i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe është harmonizuar me Ligjin për Sport dhe se MKRS duhet licencuar.

Sot në vend që institucionet sportive të funksionojnë mbi bazën e rregullave, procedurave dhe autonomisë që u garanton sporti ndërkombëtar, Hodaj ka zgjedhur rrugën e presionit politik për të adresuar një pakënaqësi personale.
UEFA ka qenë gjithmonë e qartë: politika duhet të qëndrojë larg futbollit. Çdo përpjekje për ta përfshirë ministrin apo strukturat shtetërore në çështje që janë brenda juridiksionit të federatave sportive nuk është vetëm e gabuar, por potencialisht e dëmshme për sportin kosovar në tërësi. Një hap i tillë rrezikon sanksione, prishje marrëdhëniesh dhe humbje besueshmërie ndërkombëtare.
Ajo që e bën edhe më skandaloz këtë rast është fakti se Hodaj paraqet veten si viktimë. Nëse ka pasur padrejtësi, ato duhej të ndiqeshin përmes organeve kompetente sportive.

E çuditshme është fakti se edhe ministria Çeku në letrën e fundit dërguar UEFA-s, ku kërkon sqarime rreth statutit të FFK-së, e përfshin në CC edhe Hodaj, i cili ka vite që nuk është pjesë e FFK-së, ministri këtë është dashur ta dijë.
Se Hodaj ka vlerësuar se statuti i FFK-së është në rregull dhe licencimi duhet të ndodh nga MKRS, e pohon edhe përfaqësuesi i klubit të futbollit Trepça, Avni Haxhiu. Ai në emisionin Kampionët në Kanal10 i tha Hodajt se kanë qenë prezentë bashkë më të kur i ka thënë MKRS-së se statuti është i harmonizuar dhe i plotëson gjitha kriteret.
