Ndonëse ka humbur 3:0 nga Spanja, Kroacia llogaritet favorite ndaj Shqipërisë për ndeshjen e së mërkurës. Kroatët shpresojnë për fitoren e parë në “Euro 2024”, por po ashtu kanë vlerësim për Shqipërinë.
“Kemi analizuar pak Shqipërinë. E kemi parë ndaj Italisë dhe është një ekip shumë i mirë. Ka individë të mirë, por unë do të veçoja gjithë ekipin. Lojtarët e Shqipërisë janë shumë të motivuar, janë të uritur për sukses dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nuk do të jetë lehtë të luhet ndaj tyre, por nëse ne do të jemi të vërtetit do të fitojmë si ndaj Shqipërisë ashtu edhe ndaj Italisë”, ka thënë mesfushori ofensiv i Kroacisë, Lovro Majer.
Në konferencë për shtyp të hënën foli edhe Andrej Kramariq, sulmuesi kroat.
“Kërkojmë fitore, shumë qartë. Pa të nuk mund të llogarisim asgjë tjetër. Më të rëndësishmet janë tri pikë nga kjo ndeshje. Nuk mendojmë për kalkulime”, ka thënë Kramariq.
Ai ka theksuar se atmosfera te Kroacia është e mirë para ndeshjes me kuqezinjtë.
“E kemi parë ndeshjen e Shqipërisë me Italinë. Do të jetë ndeshje e ngjashme. Sigurisht që lojtarët e Shqipërisë do të mundohen të mbrohen dhe ne do të tentojmë të gjejmë zona ku mund të jemi të rrezikshëm. Ndoshta është dukur që mbrojtësit e krahut janë pak më të lirë, por asnjëherë nuk e di çka do të ndodhë në ndeshje”, ka thënë Kramariq, njëri prej lojtarëve kryesorë të Kroacisë.
Ka përmendur edhe motivimin e lojtarëve të Shqipërisë.
“Ata janë 300 për qind të motivuar, do të kafshojnë dhe do të jetë vështirë të thyhet mbrojtja kundërshtare. Do të jetë shumë e rëndësishme të ruajmë durimin, të shfrytëzojmë rastet që kemi dhe të jemi të përgjegjshëm në mbrojtje që mos të ndodhë ndonjë kundërsulm”, thotë Kramariq.
Në Botërorin e fundit Kroacia ishte e treta. Në Botërorin 2018 në Rusi u mposht në finale. Kështu që në Evropian kroatët kanë udhëtuar me synime të mëdha. Por, pësuan rëndë në ndeshjen hapëse ndaj Spanjës dhe kjo ndikoi në atmosferën brenda grupit. Selektori Zlatko Daliq ka kritikuar publikisht sulmuesin Bruno Petkoviq për humbjen e një penalltie në ndeshjen ndaj Spanjës.
“Index.hr” ka raportuar të hënën se Petkoviqi ka marrë përgjegjësinë për humbjen e penalltisë dhe këtë e ka deklaruar para lojtarëve. Sipas këtij mediumi, nuk ka ndonjë mosmarrëveshje mes tij, selektorit dhe lojtarëve të tjerë.