Te skuadra e Mallorcas janë shumë të brengosur për sulmuesin Vedat Muriqi. Muriqi edicionin e shkuar ishte golashënuesi më i mirë në ekip me 15 gola të shënuar. Mirëpo, këtë edicion Muriqi ende nuk ka realizuar në La Liga dhe mosefikasiteti i tij po e shqetëson Mallorcan.
Po ashtu, edhe sulmuesi tjetër, Cyle Larin, që u transferua nga Real Valladolidi pas paraqitjeve fantastike në pjesën e dytë të edicionit të shkuar, ende nuk është gati. Atij po i duhet më shumë kohë për të përmirësuar gjendjen fizike.
Me vetëm një pikë të fituar prej nëntë të mundshmeve deri më tani, Mallorca po përjeton një fillim të edicionit me të komplikuar sesa që e kishte parashikuar. Mbi të gjitha njeriu i saj kryesor, Muriqi, ka dështuar dy herë nga penalltia. Në të dyja rastet, ndaj Las Palmasit dhe Granadas, Muriqi ka qëlluar shtyllën për t’u shndërruar në brengë të madhe te Mallorca.
Sulmuesi kosovar pavarësisht aftësive të tij për të shënuar, ka pasur një fillim nën pritshmëritë e tij. Pa jugkoreanin Kang In Lee, i cili u transferua te Paris Saint-Germaini këtë verë dhe ishte partneri kryesor i tij në edicionin e kaluar në sulm, Muriqi ka grumbulluar 270 minuta pa shënuar gol në kampionat.
Abdon Prats, shoku i tij i skuadrës dhe autori i një prej golave të Mallorcas në humbjen 3:2 ndaj Granadas, i dërgoi Muriqit një mesazh mbështetjeje pas ndeshjes në “Estadio Nuevo Los Carmenes”.
“Ne sulmuesit kalojmë disa periudha të vështira. Muriqi na ka dhënë shumë dhe tani ne duhet ta mbështesim atë”, insistoi ai.
Edicionin e kaluar sulmuesi i Kosovës shkoi shtatë ndeshje pa shënuar, periudhë që përkoi me Botërorin e mbajtur në Katar. Megjithatë, në fillim të atij edicioni ai kishte shënuar tashmë tetë gola. Në fund, Muriqi ishte golashënuesi i katërt më i mirë i ligës edicionin e shkuar, i barabartë me Antoine Griezmannin nga Atletico Madridi dhe Borja Iglesiasin e Real Betisit. Golashënuesi më i mirë i La Ligës u shpall sulmuesi polak i Barcelonës, Robert Lewandowski me 23 gola, i ndjekur nga francezi Karim Benzema i Real Madrid (19) dhe Joselu i Espanyolit (16).
Skuadra e drejtuar nga trajneri meksikan Javier Aguirre ka shënuar tri gola në fillim të La Ligas, me Antonio Raillo, Abdon Prats e Samu Costa. Barazoi 1:1 në Las Palmas, u mposht në shtëpi 1:0 nga Villarreali dhe pësoi në duelin e fundit te Granada 3:2.
Në fundjavën e ardhshme Mallorca do të përballet me Athletic Bilbaon, që ka tubuar 6 pikë deri më tani. Duke pasur parasysh se ka vetëm një pikë në llogarinë e saj, Mallorca ka nevojë urgjente për të arritur fitoren e parë të edicionit për t’u larguar nga pozitat që dërgojnë drejt rënies.