Trajneri i skuadrës Slaven Belupo, Roy Ferençina e ka quajtur lojtar të madh sulmuesin e krahut, Arbër Hoxha. Ai thotë se në rast të largimit të Hoxhës gjatë këtij afati kalimtar, Slaven Belupos do t’i duhen dy lojtarë për ta zëvendësuar. E për situatën aktuale të Hoxhës ka folur edhe drejtori i Slaven Belupos, Aleksandar Aleksovski, e po ashtu edhe trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq.
“Hoxha është paraqitur nga fillimi në përgatitje dhe do të shohim se çfarë do të sjellë koha. Shpresoj se ai do ta bëjë transferimin ashtu siç e meriton, sepse është një lojtar vërtet i madh. Po kështu, në rast largimi, shpresoj që të sjellim një ose dy lojtarë që ta zëvendësonin, pra me të cilët do të ishim edhe më të fortë”, ka thënë Roy Ferençina për “Sportklub.n1info.hr”.
Hoxha me Slaven Belupon është paraqitur në stërvitje të enjten dhe të mërkurën. Por, ai shpejt mund t’i bashkohet gjigantit kroat, Dinamo Zagreb. Megjithatë, më i matur se trajneri në deklaratat është treguar drejtori i Slaven Belupos, Aleksovski.
“Hoxha është ende lojtar i yni. Ai me paraqitjet e tij tërhoqi vëmendjen dhe tani për tani nuk kam çfarë të shtoj për këtë”, është shprehur Aleksovski për “sportske.jutarnji.hr”.
Për Hoxhën është raportuar se interesim kanë pasur edhe dy skuadrat italiane, Torino dhe Monza. Situatën e Hoxhës po e monitoron edhe Ferencvarosi i Hungarisë, por edhe ekipi tjetër i Kroacisë, Hajduku i Splitit. Slaven Belupo është i gatshëm të pranojë oferta deri në dy milionë euro për Hoxhën. Te Slaven Belupo janë të bindur se Hoxha mund të jetë shitja rekorde e tyre duke pasur parasysh interesimin e madh për shërbimet e tij. Dëshirën për ta pasur nën urdhra publikisht e ka shprehur trajneri i Dinamos, Sergej Jakiroviq. Ai thotë se ka përparim në negociatat mes Dinamos dhe Slaven Belupos për Hoxhën.
“Ka përparim rreth Hoxhës. Jemi duke biseduar dhe negociuar. Edhe ne, edhe Brekalo ka dëshirë të jemi bashkë, njëjtë është situata edhe me Hoxhën, por duhet pyetur edhe Slaven Beloupo e Fiorentina. Nëse unë pyetem, unë i dua të dy”, ka thënë Jakiroviq për “veçernji.hr”.
25-vjeçari Hoxha ka kontratë me Slaven Belupon deri në vitin 2027, ndërsa këtë edicion ka shënuar 5 gola dhe ka bërë 3 asistime në 19 paraqitje në të gjitha garat.