Futbollisti Erik Janzha ka thënë se Sllovenia ka disa plane se si ta fitoj ndeshjen kundër Kosovës për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Ai ka thënë se Sllovenia është duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen “finale” ndaj “Dardanëve”.
Ndeshja Slloveni – Kosovë luhet të shtunën në Lubjanë.
“Ne e dimë çfarë duam, kemi disa plane se si ta mposhtim Kosovën. Të shtunën, do të varet pak edhe prej tyre, por ne po shohim veten dhe shpresoj se do ta përmbushim planin”, ka thënë Janzha.
Ai ka theksuar se mungesa e sulmuesit të Manchester Unitedit, Benjamin Sheshko, do të jetë e madhe.
Por ka theksuar se Sllovenia ka sulmues mjaftueshëm për ta zëvendësuar yllin e Unitedit.
Sheshko u lëndua gjatë duelit që Unitedi e luajti fundjavën e shkuar ndaj Tottenhamit.
“Sigurisht që është keq për ne, por ne lojtarët mendojmë për veten tonë dhe të paraqitemi sa më mirë në fushë. Lëndimet janë problem për trajnerin. Do të shohim se si do të vendosë trajneri. Sheshko patjetër që do të na mungojë, sepse të gjithë e dimë se çfarë lloj lojtari është, por nga ana tjetër, kemi tre ose katër sulmues cilësorë”, është shprehur Janzha.
