Mërgim Vojvoda u transferua mbrëmë në Como në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.
Futbollisti kosovar i dha fund eksperiencës në Torino për ta përqafuar ekipin e ri të Serie A, me të cilin ka ambicie të mëdha.
Mbrojtësi i krahut i besoi projektit të Comos, ndërsa trajneri Cesc Fabregas e mirëpriti 30 vjeçarin, të cilin e kërkoi me ngulm në ekipin e tij.
Vojvoda nënshkroi kontratë deri në vitin 2028, ndërsa zotohet se do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar ekipin e tij të ri që t’i arrijë objektivat.
E mirëseardhje atij i dha edhe legjenda e futbollit spanjoll, i cili mezi pret të punojë me të.
“Mërgimi sjell përvojë, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri në mbrojtje në skuadrën tonë. Aftësia e tij për të operuar në role të shumta mbrojtëse dhe përvoja e tij në Serie A do të jenë të paçmueshme ndërsa ne vazhdojmë ta forcojmë vijën tonë defanzive”, deklaroi Fabregas.