Trajneri i Lillet, Bruno Genesio ka numëruar anët pozitive të Edon Zhegrovës. Por po ashtu ka treguar edhe dobësitë e sulmuesit të krahut. Ai ka thënë se Zhegrova ka ambicie të mëdha, të cilat sipas teknikut francez, mund t’i arrij vetëm nëse përmirësohet në disa aspekte.
“Ai punoi më shumë për atë që i kërkova. Por gjithashtu vazhdoi të bëjë atë që bën shumë mirë në përgjithësi, shënimin e golave dhe të jetë vendimtar. Ai po bën përparim. Ai është në rrugën e duhur. Ajo që duhet të bëjë, dhe ai e di këtë, është qëndrueshmëria dhe përqendrimi. Ai është i aftë të zhbllokojë situatat, përmes driblimit, golave, por i duhet qëndrueshmëri. E di që ai ka objektiva për të shkuar shumë, shumë lart, dhe kjo është ajo që duhet të përmirësojë gjatë gjithë sezonit në mënyrë që objektivat e tij të arrihen”, ka thënë Genesio, shkruan të mërkurën “lepetitlillois.com”.
25-vjeçari nuk luajti në dy ndeshjet e para me Lillen në Ligue 1. Ishte i suspenduar. Por ai shënoi gol në ndeshjen e parë të edicionit aktual, ndërsa tri gola i ka realizuar edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
“Ajo që më pëlqen është se di të jetë vendimtar. Ai është i aftë për të shënuar gola. Ai ka cilësi dhe talent individual që e ndihmon ekipin. Ai ka aftësi mjaft të jashtëzakonshme, është shumë i zoti dhe mund të lëvizë shumë shpejtë me topin. Ai është një nga lojtarët që mund të bëjë diferencën menjëherë”, është shprehur Genesio.
Zhegrova ishte i grumbulluar me Kosovën për ndeshjet e këtij muaji. Por ai luajti vetëm ndaj Rumanisë. Ndeshjen tjetër të Ligës së Kombeve ndaj Qipros e përcolli nga telefoni i tij. Ai bashkë me Aro Muriqin dhe Florent Muslijan u larguan për siç u tha nga Federata e Futbollit e Kosovës, “thyerje të rregullores”.