Krahas punës me ekipin senior, me të cilin synon ta ketë një sezon të suksesshëm, trajneri i FC Prishtinës, Ismet Munishi është me sy e vesh edhe tek ekipi i juniorëve.
Trajneri i njohur kosovar po mundohet që gradualisht t’i inkuadrojë në ekipin e parë edhe lojtarët e ekipeve zinxhirë të kryeqytetasve.
Në 14 ndeshjet e zhvilluara deri tash, trajneri karizmatik dhe pjesa tjetër e stafit të trajnerëve, Debatik Curri, Armend Simnica e Ahmet Beselica i kanë përfshirë në listën e ngushtë për ndeshje disa lojtarë të rinj e me shumë talent që vijnë nga ekipi i juniorëve që drejtohet nga Agim Maliqi.
“Sulmuesi 17- vjeçar Igball Jashari ishte në protokol dhe gati për lojë ndaj Trepçës ’89 sikurse portieri Butrint Bulliqi (19-vjeçar) ishte në bankë ndaj Malishevës. Një tjetër lojtar premtues është edhe Korab Luma, i përfshirë për takimin ndaj Dukagjinit dhe gati për “aksion”. Edhe Luma është 17-vjeçar. Mbrojtësi Andi Salihu (19) ishte në bankinë për ndeshjen e fundit ndaj SC Gjilanit. Edhe mbrojtësi i ri Ardi Ajdini (20) është përfshirë në disa ndeshje. Një tjetër lojtar premtues është edhe Endit Baholli (22) i ardhur nga 2 Korriku, i cili tashmë ka debutuar me ekipin. Portier i dytë të “bardhekaltrit” është 22-vjeçari Egzon Bislimi, të cilit sigurisht se do t’i jepet mundësia”, njofton FC Prishtina.
Munishi premton edhe ardhje të reja nga ekipi i juniorëve, por edhe nga klubet e tjera e Shkollat e Futbollit në vend.
FC Prishtina zbulon se po punon edhe për disa projekte për talentët e rinj, të cilat do të zbulohen së shpejti.