Stabiliteti financiar dhe kërkimi për një jetë më të mirë në të ardhmen janë vetëm dy nga disa arsyet pse qytetarët e Kosovës po i shohin vendet evropiane opsion për ta kaluar pjesën tjetër të jetës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte publikuar një raport për “Vlerësimin e Popullsisë për vitin 2021”, ku bëhej e ditur se në atë vit ishin larguar mbi 42 mijë qytetarë nga Kosova, shkruan Demokracia.com.
Megjithëse nga publikimi i këtij raporti ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë, largimi e qytetarëve nga vendi është rritur gradualisht muajve në vijim.
Nga ky trend është “prekur” edhe futbolli i Kosovës, me theks të veçantë Superliga e Kosovës. Disa nga emrat e njohur të futbollit në vend kanë marrë rrugën drejt shteteve evropiane.
Shqetësues është fakti se për vetëm një muaj nga Superliga e Kosovës ka pasur tre largimeve, nga dhjetëra raste sa janë identifikuar muaj e vite më parë.
BUJAR IDRIZI – Mbylli aventurën disa vjeçare te Llapi për t’iu bashkuar familjes në Gjermani
Një prej futbollistëve më me përvojë në futbollin e Kosovës viteve të fundit, Bujar Idrizi e la Llapin pas një periudhe të gjatë në Podujevë.
Ai u largua nga “Zahir Pajaziti” në ditët e fundit të vitit 2022 për t’iu bashkuar familjes së tij në Gjermani.
Mbrojtësi i krahut ishte pjesë e Llapit për katër vite e gjysmë, shkruan Demokracia.com.
“KF Llapi njofton se pas katër vite e gjysmë bashkëpunimi me kapitenin e skuadrës, Bujar Idrizi, do ndërprehen marëdhëniet kontraktuale për shkak se Idrizi jetën do ta vazhdoj jashtë Kosove, ku do i bashkohet familjes në Gjermani. Është nder dhe privilegj i madh ta kishim një kapiten si Bujar Idrizi, një njeri me sjellje shembullore dhe karakter të madh të futbollistit që nuk ka kursyer asgjë nga vetja në secilën ndeshje e secilën minutë të luajtur me ekipin tonë” – kishte njoftuar Llapi më 28 dhjetor të vitit 2022.
BURIM BOJAJ – Trajneri i portierëve të Dukagjinit u largua në Gjermani
Gjermaninë e kishte destinacion edhe trajneri i portierëve të Dukagjinit të Klinës, Burim Bojaj.
Bojaj ishte përshëndetur me skuadrën nga “18 Qershori” më 11 janar të këtij viti dhe ishte larguar për në shtetin evropian.
Edhe Bojaj ishte pjesë e klubit klinas nga mosha e re, duke dhënë kontributin e tij për “gjelbërebardhët”.
“Buli, mirupafshim. Sot trajneri i portierëve, Burim Bojaj për arsye personale, pasi jetën e tij do e vazhdoj ne shtetin e Gjermanisë, është përshëndetur me klubin e fëmijërisë ku ishte aktivizuar qe nga grupmoshat e reja, ne vitin 2008-të. Buli është rritur ne klubin e Dukagjinit, dhe ka përjetuar pothuajse çdo gjë me klubin tonë gjatë këtyre viteve” – thuhej në njoftimin e Dukagjinit.
SEID ONBASHI – Trajneri kampion nga Mitrovica mori rrugën për në Finlandë
Rasti më i fundit ishte ai i trajnerit nga Mitrovica, Seid Onbashi i cili pjesën tjetër të jetës do ta kalojë në shtetin skandinav, në Finlandë.
Onbashi u përshëndet me ekipin nga “Riza Lushta” dy ditë më parë.
Onbashi sa ishte pjesëe Klubit të Futbollit të femrave, KFF Mitrovica, kishte fituar tre tituj të kampionit dhe tri kupa të Kosovës.
“Klubi Futbollistik Trepça’89 njofton se ish-futbollisti dhe tanimë trajneri i grupmoshave U-19, Seid Onbashi ka vendosur se do të vazhdojë jetën në Finlandë” – thuhej në njoftimin e klubit mitrovicas.
Muaj më parë rrugën drejt Gjermanisë e kishte marrë edhe ish-kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati. Mbrojtësi me përvojë nga Anamorava ishte pensionuar nga futbolli aktiv pikërisht në klubin “kuqebardhë”.