Trepça e ka fituar ndeshjen e parë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të enjten mbrëma në palestrën “Minatori”, Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultat 77:68.
Ndeshja u zhvillua në atmosferë të bukur sportive, në palestrën e stërmbushur me shikues. Trepça kishte përkrahjen e tifozëve, ndërsa shkëputjen e bëri vetëm në fund të ndeshjes.
Finalja e parë ishte shumë e fortë.
Ylli i Suharekës nisi më mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e fitoi 29:20. Shkëputja edhe më e madhe u bë në çerekun e dytë. 6:40 minuta pa përfunduar çereku i dytë, Ylli shënoi për 35:22. Por më pas suharekasit nuk shënuan pikë për gjashtë minuta e gjysmë. Dy sekonda para fundit të çerekut të dytë, Ylli shënoi për 37:31, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë.
Ajo periudhë pa pikë kishte ndikimin në fund, ndonëse mysafirët ishin në epërsi prej gjashtë pikësh pas 20 minutave lojë. Suharekasit ishin në epërsi edhe gjatë gjithë çerekut të tretë, por Trepça vazhdimisht kërkoi avantazhin. Nëntë sekonda para fundit të çerekut të tretë mitrovicasit shënuan për epërsinë e parë, 53:52.
Çereku i katërt ishte shumë i fortë. 4:36 minuta para fundit rezultati ishte 64:64. Kevin Capers më pas shënoi për tri pikë dhe kështu nisi shkëputja graduale e Trepçës. Suharekasit më nuk ia dolën të kthehen në lojë, përkundër përpjekjeve deri në fund.
Capers u shqua në fund, ndërsa ndeshjen e përfundoi me 10 pikë e katër asistime. Të dhënat më të mira statistikore te “xehetarët” i kishte Devonte Upson që realizoi 11 pikë e dhjetë kërcime. Darnell Edge i kishte 11 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Mikaile Tmushiq realizoi 10 pikë. Erjon Kastrati kontribuoi me nëntë pikë, sa i kishte edhe Kevin Bracy-Davis.
Alonzo Verge Jr i realizoi 32 pikë për Yllin, ndërsa i kishte edhe pesë kërcime e gjashtë asistime. Por Verge Jr i kishte edhe katër topa të humbur dhe efikasitet jo të lartë në gjuajtje. Nate Grimes i kishte 10 pikë e tetë kërcime. Nga tetë pikë i kishin Jan Palokaj e Gëzim Morina, ndërsa nëntë i reaqlizoi Jalen Nesbitt.
Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq kishte më shumë lojtarë në të cilët llogarit dhe kjo bëri dallimin në fund. Trajneri i Yllit, Petar Mijoviq llogarit në më pak lojtarë, ndërsa prej rezervistëve vetëm Aaron Jones e kishte një pikë.
Trepça është në kërkim të titullit të pestë dhe të parit nga viti 2012. Ylli ndërkohë po e kërkon titullin e tretë. Kampion ishte në vitet 2021 dhe 2022.
Ndeshja e dytë finale zhvillohet të dielën në Suharekë. Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione.