Trepça ka vazhduar serinë e fitoreve. Pasi e fitoi Kupën e Kosovës, Trepça ka vazhduar me suksese edhe në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në Suharekë, Trepça e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultatin e ngushtë, 87:84.
Ndeshja është vendosur në aksionet e fundit, por disi ka mbetur në hije të incidenteve. Në minutën e 18-të, ndeshja është ndërprerë për gati një orë. Pas një reagimi të Mikaile Tmushiqit të Trepçës, që fillimisht shkelmoi e më pas e përplasi karrigen ku ulen lojtarët që zëvendësohen, kishte hedhje të shumta të shikuesve prizrenas në parket. Janë hedhur shumë karrige. Ka pasur edhe tollovi të lojtarëve e po ashtu tollovi në tribuna. Loja ka vazhduar, por jo edhe për Tmushiqin, kapitenin e Bashkimit, Qëndrim Biraj dhe trajnerin e Trepçës, Engin Gençoglu. Tmushiq e Biraj u përjashtuan.
Nga palestra po ashtu janë larguar gjithë shikuesit. Trepça ishte në epërsi në të shumtën e kohës, por fundi megjithatë ishte dramatik. Tetë sekonda para fundit, Curtis Jones i Bashkimit kishte tentim të pasuksesshëm për tri pikë, përkatësisht për të barazuar shifrat. Edhe pas fundit të ndeshjes ka pasur tollovi dhe tentim përleshje nga lojtarët. Trajneri i Bashkimit, Audrius Prakuraitis ka mbetur i nervozuar me gjuajtjen e fundit të Jonesit.
Kemi pasur disa vendime të gabuara në minutat e fundit. Trepça ka luajtur pak më mençur në minutat e fundit. Vendimi i fundit ishte i gabuar. Na duhej gjuajtje tri pikë, por jo ajo gjuajtje që bëmë. Na duhej një aksion më i gjatë”, ka thënë trajneri nga Lituania.
Ken Brown ishte më i miri te Trepça me 23 pikë e gjashtë asistime. Will Daniels i kishte nëntë pikë e tetë kërcime, ndërsa Drilon Hajrizi realizoi 15 pikë e gjashtë kërcime. Ai i kishte edhe katër topa të humbur, ndërsa qëlloi një nga pesë tentimet për tri pikë. Te Bashkimi më i miri ishte Daniel Lekndreaj me dhjetë pikë e dhjetë kërcime. Jones i realizoi 21 pikë, ndërsa 19 pikë e nëntë kërcime i kishte Samardo Samuels.
“Jemi përgatitur maksimalisht. Ajo që ndodhi nuk do koment. Për çdo lojë po ndodhin këto gjeste që duhet të ndalohen njëherë e gjithmonë. Kemi treguar karakter fitues dhe lojtarët i kanë zbatuar detyrat. Ne ishim më të organizuar dhe e deshëm më shumë fitoren. Kjo ishte vendimtare”, ka theksuar Ilir Selmani, ndihmëstrajner te Trepça.
Ndeshja i ka takuar xhiros së 23-të të Superligës. Trepça është e katërta me 37 pikë, përkatësisht me bilanc prej 14 fitore e nëntë humbje. Bashkimi mbetet i pesti me 33 pikë, përkatësisht me dhjetë fitore e 13 humbje. Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit do të luhet javën e ardhshme.