Trepça ka bërë hap të madh drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Trepça të shtunën mbrëma e mposhti Sigal Prishtinën me rezultatin 67:61.
“Xehetarët”, tashmë e kanë kthyer epërsinë në serinë gjysmëfinale.
Pas tri ndeshjeve gjysmëfinale, rezultati është 2:1 në të mirë të Trepçës.
Skuadra që shënon tri fitore, kualifikohet në finale.
Të shtunën e kaluar në “Minatori”, Trepça mposhti bindshëm Prishtinën, 80:65. Të mërkurën në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi 90:83, pas vazhdimit prej pesë minutave.
Përkrahja ishte e madhe për Trepçën. Salla “Minatori” ishte e stërmbushur me shikues. Atmosfera ishte shumë e zjarrtë.
Ishte ndeshje e barabartë por që në fund triumfoi Trepça.
Michael Charles Myres Jr ishte më i dalluari në fitoren e Trepçës me 15 pikë, tetë kërcime dhe dy asistime.
Lojë të mirë te Prishtina pati Donte Clark i cili realizoi 18 pikë, katër kërcime dhe katër asistime.