Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga ceremonia e hapjes, ethet e Lojërave Olimpike “Paris 2024” po përfshijnë gjithë botë.
10 mijë e 714 sportistë nga 206 shtete do të konkurrojnë në 32 sporte për një numër total prej 329 eventesh, me aktivitetin që do të çelet zyrtarisht mbrëmjen e së premtes me një ceremoni madhështore përgjatë Lumit të Senës.parisMESAZHI NGA BAH – Presidenti i IOC, Tomas Bah, mbajti dje në Paris një fjalim para një delegacioni sportistësh të mbledhur në fshatin olimpik: “Ju, atletë olimpikë, do të na tregoni se çfarë bota do të ishte sikur të jetonim të gjithë në të njëjtën frymë olimpike të bashkëjetesës paqësore. Ju do të konkurroni kundër njëritjetrit, por në të njëjtën kohë, ju po jetoni të qetë së bashku nën një çati, këtu në fshatin olimpik. Ju po respektoni të njëjtat rregulla dhe më e rëndësishmja, po respektoni njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, ju po i dërgoni botës një mesazh të fortë paqeje nga Parisi”, u shpreh ndër të tjera Bah.
PRESIDENTI MAKRON – Pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, fshatin olimpik e vizitoi edhe presidenti francez Emanuel Makron. Zona, e cila shtrihet në mbi 54 hektarë, përfshin gjithashtu komisariatin dhe stacionin e zjarrfikësve të ngritur brenda fshatit, teksa këto dy struktura u inauguruan zyrtarisht mëngjesin e djeshëm nga Makron. “Ne jemi krenarë për punën e madhe përgatitore dhe jemi të gatshëm të garantojmë siguri gjatë gjithë kohëzgjatjes së Lojërave. Janë mbi 250 mijë gra dhe burra që po sakrifikojnë kohën që kalojnë me familjet e tyre, ne kemi punuar prej vitesh për këtë eveniment. Një punë që do të ndryshojë territorin tonë dhe infrastrukturat do të mbeten trashëgimi. Ky fshat do të bëhet një lagje e vërtetë”, deklaroi Makron. Të pranishëm ishin edhe Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, dhe Ministrja e Sporteve, Amelie Oudea-Castera.
PLATINI POLEMIZON – Ndërkohë, Mishel Platini, në një intervistë për “Midi Libre”, në prag të Lojërave Olimpike që do të mbahen në Paris, i befasoi të gjithë me deklaratën e tij: “Nuk do t’i shikoj ndeshjet e futbollit në ‘Paris 2024’. Skuadra olimpike e Francës nuk më intereson, pasi futbolli s’është një sport olimpik”. Për ish-presidentin e UEFAs, futbolli në Olimpiadë është futur vetëm për çështje interesash, duke qenë se mbush stadiumet.
HISTORIKU I MEDALJEVE – Në prag të startit të “Paris 2024”, ju pasqyrojmë dhjetëshen e parë të shteteve më fituese në historinë e Lojërave Olimpike. Klasifikimin e komandojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë fituar plot 2636 medalje, më shumë sesa dyfishi në krahasim me vendin e dytë, ish-Bashkimin Sovjetik, që numëron 1010 medalje në total. Ndërsa për sa u përket sportistëve më fitues në historinë e Lojërave Olimpike, në radhët e meshkujve rekordin e mban notari legjendar amerikan, Majkëll Felps, me 28 medalje në vitet 2004-2016. Felps regjistron 23 të arta, 3 të argjendta dhe 2 të bronzta. Për femra rekordin e mban ikona e gjimnastikës, Larisa Latynina, e cila mes viteve 1956-1964 ka fituar 18 medalje për Bashkimin Sovjetik: 9 ari, 5 argjendi dhe 4 bronzi.