Tre futbollistë nga Premier League australiane, u arrestuan të premten në kuadër të një hetimi për baste.
Në moshën 33, 32 dhe 27 vjeç, ata akuzohen se janë “korruptuar” nga një personazh i krimit të organizuar për të manipuluar ndeshjet.
Ata do të akuzohen për “sjellje të prishjes së rezultatit të një basti”.
Zv.komisari i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Michael Fitzgerald, thotë se një lojtar i profilit të lartë u kërkoi shokëve të skuadrës të shkaktonin penallti dhe të merrnin kartonë të verdhë, gjatë ndeshjeve në fund të vitit 2023, njoftojnë mediat e huaja.
Lojtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, “po vepronte sipas udhëzimeve dhe direktivave të një figure të krimit të organizuar, që aktualisht jeton në Amerikën e Jugut”. Ai u paguante shokëve të tij deri në 6000 dollarë (5.500 euro) për çdo karton të verdhë që merrnin.
“Ne do të pretendojmë se këta lojtarë kanë marrë me dashje kartonë të verdhë në këmbim të pagesës korruptive”.
Në Australi dhe jashtë saj, mund të vihet bast për numrin e kartonëve të verdhë, të shpërndarë nga gjyqtari gjatë një ndeshjeje.
“Çdo sportdashës e di se një penallti e vetme mund të ndryshojë rrjedhën e një ndeshjeje dhe dinamikën e ndeshjes”, shtoi Michael Fitzgerald.
Policia lidhi katër kartonë të verdhë me pagesat e supozuara, të cilat sipas tyre “mund të kenë ndryshuar në fakt rezultatin e ndeshjes”.
Hetuesit shpresojnë të marrin në pyetje një lojtar të katërt.
Federata e Futbollit Australiane, tha se tre lojtarët i përkisnin një klubi të paidentifikuar të Sidneit. Mediat lokale raportuan se ishte Macarthur FC, i cili përfundoi në vendin e 12-të dhe të fundit në A-League në fund të sezonit 2022-23.