Sot, në stadiumin “Fadil Vokrri”, u mbajt seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s për edicionin garues 2025/26, ku morën pjesë përfaqësues të klubeve të Albi Mall Superligës dhe Superligës së vajzave.
Përgjegjësit nga UEFA, Daniele Bernardi dhe Andre Glue, shfrytëzuan mundësinë për të informuar klubet mbi ndryshimet në Rregulloren e UEFA-s për licencimin dhe kriteret e reja që duhen plotësuar për të marrë pjesë në garat evropiane. Me këtë rast klubet u njoftuan gjithashtu se procesi i licencimit do të përmbyllet në muajin maj.
Bajram Shala, menaxher i licencimit në FFK, duke folur për rëndësinë e këtij seminari, u shpreh: “Ky ka qenë një takim shumë i rëndësishëm për klubet, veçanërisht për mundësinë që ato kishin për të qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët e UEFA-s. Ky ishte një shans i shkëlqyer për të kuptuar më thellë detajet e procesit të licencimit dhe ndryshimet që ka pësuar rregullorja”, tha ai.
Shala gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbushjes së të gjitha kritereve dhe shtoi: “Klubet duhet të jenë të përgatitura dhe të mos lejojnë që ajo që fitojnë në fushë t’u mohohet për shkak të mangësive në procedura, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë rregullativ”.
Ai siguroi klubet se FFK është gjithmonë afër dhe do të ofrojë mbështetje maksimale gjatë këtij procesi, për të garantuar kalimin e tij me sukses.
“Nëse shohim statistikat, ne qëndrojmë mjaft mirë për nga numri i klubeve që aplikojnë për licencë, por edhe për numrin e atyre që e marrin atë. Kjo është një dëshmi që FFK po i ndihmon klubet në këtë proces, por edhe e gatishmërisë së klubeve për të marrë informata dhe për t’i implementuar ato në mënyrën e funksionimit të tyre. Procesi i licencimit ka 20 vite që zbatohet në Evropë, ndërsa edhe klubet e Kosovës kanë fituar një përvojë solide që nga fillimi i këtij procesi në vendin tonë”, tha Shala.
Nga ana tjetër, Daniele Bernardi, menaxher i lartë i licencimit të klubeve në UEFA, vlerësoi përpjekjet e FFK-së dhe përmirësimet e fundit në futbollin kosovar.
“Kolegu dhe miku im i dashur, Bajrami, na ftoi të bëjmë prezantimin dhe të marrim pjesë në këtë takim hapës të procesit kyç për licencimin e klubeve për sezonin 2025/26 dhe pjesëmarrjen e tyre në garat evropiane. Ne jemi këtu për të prezantuar ndryshimet dhe azhurnimet kryesore në rregulloren tonë dhe gjithashtu për t’ua rikujtuar klubeve shtyllat kryesore që janë pjesë e licencimit dhe monitorimit financiar të klubeve në Evropë. Federata e Futbollit të Kosovës është anëtari ynë më i ri në UEFA dhe, që nga pranimi i saj, kemi parë përmirësime në standardet e ndryshme të futbollit evropian. Kjo ka ndodhur edhe falë sistemit të licencimit të klubeve, i cili po ndihmon klubet të rrisin nivelin e tyre, duke sjellë zhvillime të rëndësishme në vitet e fundit”, tha ai.
Ndërkaq, Jetmir Salihu, nga FC Drita, e vlerësoi seminari si një mundësi të shkëlqyer për të marrë informacion mbi ndryshimet e fundit në procesin e licencimit: Drita është ndër klubet e para që ka filluar me licencimin dhe kemi një përvojë të jashtëzakonshme. Megjithatë, këto seminare janë gjithmonë të domosdoshme për t’i informuar klubet rreth ndryshimeve dhe risive që shtohen në procesin e licencimit. Licencimi është një proces shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm për klubet. Edhe për ato klube që nuk kanë pretendime për gara evropiane është e rëndësishme ta ndjekin këtë proces, pasi është një mënyrë shumë e mirë për t’u profesionalizuar.