Nuk ka qenë zakon që Kosova, në konferencat e para për shtyp që organizon me përzgjedhësin e vet në prag të fillimit të një grumbullimi të ri, të paraqesë në publik prapaskenat rreth një lojtari që ka refuzuar ftesën.
Një gjë e tillë ndodhi shtatë javë më herët. Gjithçka u tha hapur. Asgjë nuk u fsheh. Në konferencë për shtyp më 20 shtator, pak ditë para se Kosova t’i luante ndeshjet e fundit kualifikuese në Ligën e Kombeve, Alain Giresse nuk mbajti asnjë sekret në raport me Uran Bislimin.
“Para se të përpilojmë listën, shohim shumë lojtarë që mund t’i bashkohen kombëtares dhe që kanë një profil interesant. Një prej tyre është Shkëlqim Vladi, një sulmues shumë i mirë. Edhe Donat Rrudhani po ashtu, të cilit i dërguam ftesë. Është e njëjta situatë si me Bislimin, i cili ka refuzuar grumbullimin me Kosovën, edhe pse më parë ka luajtur me Kosovën U21”, ishte shprehur ai.
Vetë Bislimi me zë të lartë pranonte se kishte refuzuar Kosovën në një intervistë dhënë për “20 Minuten” në fund të muajit shtator. Madje, ai deklaronte se nuk i bënin fare përshtypje reagimet e forta që vinin nga larg (me shumë gjasë duke aluduar tek ato nga Kosova).
“Kush më është pranë mund ta kuptojë dhe mirëkuptojë vendimin tim. Nuk më bezdis për reagimet që ngjajnë nga larg. Siç e thashë më herët, fokusi im i vetëm është Lugano”, deklaronte ai.
Që të luajturit për Zvicrën ishte një ëndërr për të ai nuk e fshehte fare:“Vendimi i marrë është që të fokusohem te Lugano, që të ambientohem sa më mirë dhe ta fitoj statusin e lojtarit titullar. Mirëpo të luajturit për Zvicrën është sigurisht ëndërr e çdo futbollisti.”
E vetmja mundësi që Bislimi kishte për të luajtur me Zvicrën ishte në grupmoshën U19, kur ai bëri një paraqitje si titullar ndaj Finlandës në mars të 2018-ës.
Sidoqoftë, tani ai do të jetë pjesë e Dardanëve për dy ndeshjet e ardhshme që do të zhvillohen më 16 dhe 19 nëntor, kundër Armenisë, respektivisht Ishujve Faroe. Ndeshje këto që do të luhen në “Fadil Vokrri”./nacionale