I hapur, karizmatik dhe rekordmen, Valdet Rama ende po vazhdon me ritëm të lartë në moshën 35-vjeçare në Gjermani. Tani me skuadrën Wuppertaler SV në kategoritë e ulëta të futbollit gjerman, Rama po e përcjell përvojën mbi 20-vjeçare në futboll te gjeneratat e reja. Futbolli e ka dërguar ish-reprezentuesin e Shqipërisë nëpër botë: nga Gjermania në Suedi, pastaj Spanjë dhe Kinë.
Kur shikon prapa, Rama insiston se ishte një përvojë e jashtëzakonshme.
“Po, për mua kanë qenë përvoja shumë të mira sepse kam luajtur në vende të ndryshme, si në Gjermani, Suedi, Spanjë, sërish në Gjermani dhe në Kinë. Mendoj se çdo përvojë ka qenë e denjë, sepse në çdo vend për shkak të ideve të ndryshme që njerëzit kanë në lidhje me futbollin mund të mësosh gjëra të reja”, është shprehur Rama për “tribalfootball” të martën. “Jam shumë i kënaqur me të gjitha skuadrat për të cilat kam luajtur, shumica ishin eksperienca të mira. Por sigurisht që disa prej tyre nuk ishin aq të mira për faktin se familja ime ishte larg”.
Një veteran i Bundesligas dhe Allsvenskas, Rama bëri histori në Spanjë kur firmosi për Real Valladolidin në janar të vitit 2013. Sulmuesi i krahut u bë lojtari i parë shqiptar që luajti në La Liga, përpara se të bëhej edhe i pari që shënoi gol në elitën e futbollit të Spanjës.
“Po, për mua është shumë e veçantë dhe jam i nderuar që jam lojtari i parë shqiptar që kam luajtur në Spanjë, në La Liga, dhe kam shënuar gol atje”, shprehet Rama. “Të them të drejtën nuk e dija këtë, por gjatë përvojës sime atje e mësova këtë detaj dhe është diçka që do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën time”.
Mitrovicasi Rama kaloi dy sezone me Valladolidin, ku gjatë kësaj kohe e pati rastin të përballet edhe me Barcelonën. Përsëri, si rekordi i La Ligas, edhe përvoja e përballjes me Lionel Messin është diçka që Rama nuk do ta harrojë kurrë.
“Si kundërshtarin më të vështirë me të cilin kam luajtur do të zgjidhja Lionel Messin. Kur ai kishte topin ishte tjetër gjë, një tjetër lloj futbolli. Sa herë që ai kishte topin bënte diferencën, krijonte diçka. Për mua ai është lojtari më i mirë në historinë e futbollit”, insiston Rama.
Gjatë kohës në Gjermani, Rama luajti për ekipe si Ingolstadt, Wolfsburg, Hannover dhe Munich 1860.
“Kam pasur mundësinë të stërvitem nga trajnerë shumë të mirë në Gjermani dhe disa trajnerë të njohur”, kujton ai. “Unë pata mundësinë të luaja nën urdhrat e Felix Magathit. Por nëse do të më duhej të zgjidhja një të preferuar, ai do të ishte Thorsten Fink në Ingolstadt, pasi më ndihmoi shumë dhe prej aty filloi gjithçka për mua në karrierën profesionale”.
Në Suedi, Rama do të kalonte kohë me Orebron përpara se të vendosej në Valladolid. Pikërisht në Spanjë, Rama, familja e të cilit iku në Gjermani nga Kosova kur ai ishte nëntë vjeç, zgjodhi ta përfaqësonte Shqipërinë. Menjëherë ai mori një telefonatë nga trajneri i atëhershëm i Shqipërisë, Gianni de Biasi: “Mësova shumë prej tij. Ai bëri ëndrrat e mia realitet”.
Një dekadë më pas dhe Rama ka parë me shumë interes ndryshimin e trajnerit te Shqipëria, që për herë të parë ka zgjedhur një brazilian – Sylvinhon.
“Unë me të vërtetë shpresoj se mund të kualifikohemi në Euro 2024. Unë jam optimist për këtë sepse kur vjen një trajner i ri ndryshon atmosferën e ekipit”, thotë Rama.