Futbollisti kosovar, Arbnor Muja po kalon momente shumë të mira në klubin e tij të ri, Royal Antwerp në Belgjikë. Sulmuesi nga Mitrovica kompletoi transferimin e tij nga Drita në Antwerp gjatë afatit kalimtar të verës, pasi drejtuesit e klubit belg ishin të mahnitur me paraqitjen e 24 vjeçarit në ndeshjen e klubit belg dhe atij kosovar në kuadër të kualifikimeve për UEFA Conference League.
Në klubin belg, Arbnor Muja ka pasur dhe ka rastin të punojë me lojtarë që kishin karrierë të jashtëzakonshme dikur si Radja Nainggolan e Toby Alderweireld, teksa trajneri i tyre është Mark Van Bommel, i cili ka luajtur në disa nga klubet më prestigjoze në botën e futbollit, si Barcelona, Milan, Bayern Munich e PSV.
Në një prononcim për GazetaBlic Sport, trajneri i Antwerp, Mark van Bommel ka potencuar se është shumë i kënaqur me ambientimin dhe përparimin e Arbnor Mujës që nga transferimi i tij në Belgjikë.
“Arbnori është përshtatur me Ligën belge (Jupiler Pro League) dhe me mënyrën tonë të lojës në Royal Antwerp FC. Ai ka bërë përparime të mëdha. Arbnori është një lojtar i dobishëm, i besueshëm dhe një profesionist i madh”, tha fillimisht Mark van Bommel për GazetaBlic Sport.
Sipas ish lojtarit të madh, tani trajnerit Mark van Bommel (45 vjeçar), Arbnor Muja ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, teksa ai mund të luajë edhe tek kombëtarja e Kosovës në të ardhmen.
“Ai ka një të ardhme të ndritur përpara vetes. Unë gjithashtu e shoh atë të depërtojë edhe tek kombëtarja e vendit të tij (Kosova) në plan afatgjatë”, përfundoi Mark van Bommel.
Arbnor Muja ka fatin që si trajner ka një trajner me përvojë të madhe si Mark van Bommel, teksa shihet qartazi se në ndeshjet e fundit ka fituar edhe besimin e tij.
Kujtojmë se Bommel ka rreth 540 paraqitje në karrierën e tij profesionale në klube si Fortuna Sittard, PSV, Barcelona, Bayern Munich e Milan, teksa ka 79 paraqitje me kombëtaren e Holandës.
Sa i përket titujve ai ka fituar Champions League dhe La Ligan me Barcelonën në vitin 2005/6, fitoi Bundesligan dy herë dhe Kupën e Gjermanisë poashtu dy herë. Ai pati suksese edhe në Itali, ku me Milanin fitoi Scudetton dhe Superkupën, kurse me PSV u shpall kampion në katër vite, teksa fitues i Kupës holandeze është 7 herë.