Një vit më parë, Vedat Muriqi kishte shënuar gol në xhiron e dytë të La Ligas e më pas në xhiron e tretë. Kampionatin e kaluar e përfundoi me plot 15 gola dhe ishte lojtari kryesor i Mallorcas.
Sulmuesi kosovar vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën spanjolle. Por nuk është në momentin më të mirë. Tashmë janë luajtur tri xhiro në La Liga dhe prizrenasi nuk ka gol të shënuar. Për më tepër humbi penallti në xhiron e parë ndaj Las Palmasit në barazimin 1:1. Tjetër penallti nuk konkretizoi të shtunën në humbjen 3:2 nga Granada. Ndeshjen e dytë, ndaj Villarrealit, Mallorca e kishte humbur 1:0. Skuadra është në kërkim të fitores, Muriqi në kërkim të golit.
“Një tjetër ndeshje për t’u harruar nga Muriqi”, është titulli i shkrimit të gazetës “Diario de Malorca” lidhur me paraqitjen e Muriqit ndaj Granadas. Ky medium ka shkruar se Muriqi është parë pak. Që nga viti 2000 asnjë futbollist i Mallorcas nuk ka humbur dy penallti rresht.
“Momenti i keq i Muriqit në fillim të edicionit nuk limitohet vetëm në dështimet nga pika e bardhë, por nga prezenca e paktë në aksionet në sulm të skuadrës, së cilës ai i duhet si asnjëherë më parë. Skuadra krijon pak dhe nëse njeriu kryesor në sulm nuk shfaqet, problemet mund të rriten. Në aksionin e vetëm në të cilin është përfshirë, u shënua gol”, ka komentuar mediumi nga Mallorca.
Tutje është shkruar se Muriqi ka bërë pak në pjesën tjetër të ndeshjes, porse ka besimin e plotë të trajnerit dhe se 15 golat nga edicioni i kaluar nuk harrohen lehtë. Muriqi ka shënuar gjashtë gola nga nëntë penallti prej se iu bashkua Mallorcas.
Për momentin e Muriqit ka folur trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre. Ka thënë se te Mallorca e duan shumë 29-vjeçarin.