Vendi i pestë në vend të medaljes së pestë olimpike. Akil Gjakova të hënën i është afruar shumë, shumë pranë podiumit olimpik. Por në fund u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë në turneun e xhudos në Lojërat e Parisit. Vendi i pestë në Olimpiadë është suksesi më i madh në karrierën e Akilit, por edhe i Kosovës sa i takon sportistëve.
Xhudistet tashmë i kanë fituar katër medalje olimpike, që janë më të vlefshmet në sport. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi kanë medalje të arta olimpike. Distria të dielën e shtoi edhe një të argjendtë olimpike në koleksionin e jashtëzakonshëm të saj.
28-vjeçari Akil Gjakova i kishte dy lufta për të fituar medalje. Në gjysmëfinale humbi nga Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit. Ndërkohë për vend të tretë, përkatësisht për medalje bronzi humbi nga japonezi Soichi Hashimoto. Ai është kampion i shumëfishtë botëror dhe në Paris ishte bartësi i dytë. Akili ishte bartësi i 13-të.
Lufta për medalje të bronztë nisi shumë keq për Akilin. Hashimoto realizoi uazari pas pak sekondave. Më pas Akili ka kërkuar hedhjen deri në fund. Por japonezi është mbrojtur me sukses. Hashimoto i kishte dy dënime dhe ka rrezikuar ta pësojë të tretin. Megjithatë e shmangu për fitoren e radhës të Japonisë në “Parisi 2024”.
Akili e kishte rrugën shumë të vështirë. Ditën në “Champ de Mars Arena” e nisi me fitore ndaj brazilianit Daniel Cargnin, medalist olimpik dhe bartës i pestë. Ndaj tij realizoi dy uazari me hedhje të bukura.
Në luftën e dytë realizoi hedhje spektakolare për fitore me Ippon ndaj austriakut Samuel Gassner.
Në luftën e tretë, Gjakova e kishte përballë italianin e papërshtatshëm Manuel Lombardo. Lombardo ishte bartësi i katërt. Ndeshja shkoi në kohën shtesë, kurse Lombardo e pësoi dënimin e tretë. Kështu Akilit i takoi fitorja me Ippon. Tani xhudisti kosovar i ka tri fitore e një humbje me Lombardon, njërin prej më të mirëve në kategori.
Në gjysmëfinale, Akili e kishte përballë bartësin e parë dhe kampionin në fuqi botëror, Heydarovin. Ndaj tij zhvilloi luftë shumë të fortë. E kërkoi vazhdimisht hedhjen dhe në të paktën dy raste iu afrua fitores. Por në minutën e gjashtë, përkatësisht në kohën shtesë, Heydarovi realizoi aksion për uazari dhe për vend në finale.
Kosova tani e kërkon medaljen e pestë olimpike, të dytën në Paris, të martën. Në tatamin e arenës që vazhdimisht po mbushet me mbi tetë mijë shikues paraqitet Laura Fazliu. Ajo është bartësja e tretë në kategorinë deri 63 kilogramë dhe kështu pretendente e fuqishme për medalje.