Tregu ndërkombëtar i transferimeve të futbollit vazhdoi të rikthehet nga pandemia COVID-19, me një rekord prej 20,000 marrëveshjesh mes klubeve nga vende të ndryshme vitin e kaluar, tha FIFA të enjten.
Shpenzimet totale në mbarë botën ishin 6.5 miliardë dollarë në tarifat e transferimeve për lojtarët që lëviznin përtej kufijve midis federatave anëtare të FIFA-s – një rritje prej 33.5 për qind nga viti 2021, sipas të dhënave vjetore të transferimeve që i përpunoi FIFA.
“Shifra është ende nën nivelet e viteve 2018 dhe 2019, por klubet po rikuperohen qartë”, tha FIFA në një raport prej 75 faqesh.
Marrëveshjet më të mëdha në raport përfshinin kalimin e sulmuesit Erling Haaland te Manchester City, pastaj të brazilianëve Antony e Casemiro te Manchester Unitedi, Aurelien Tchouameni te Real Madridi dhe Darwin Nunez te Liverpooli. Raporti i FIFA-s nuk përfshin marrëveshjet midis dy klubeve në të njëjtin vend, si ajo e Arsenalit që bleu sulmuesin Gabriel Jesus dhe mbrojtësin Oleksandr Zinchenko nga Manchester City. Shpenzimet e mëdha të Chelseat për Wesley Fofanan, Marc Cucurellan dhe Raheem Sterlingun, marrëveshja e Tottenhamit me Richarlison dhe kthimi i Antoine Griezmannit në Atletico Madrid nga Barcelona gjithashtu nuk përfshihen në këtë raport.
Klubet angleze shpenzuan mbi dy miliardë dollarë për transferime në vitin 2022, për herë të parë. Në fakt shpenzimet arritën shifrën e 2.2 miliardë.
“Tendenca negative dyvjeçare në shpenzimet e klubeve për tarifat e transferimeve u ndryshua në vitin 2022, me shpenzimet totale të vitit të kaluar që arritën në 6.5 miliardë dollarë, një rritje prej 33.5% krahasuar me vitin 2021, por ende nën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave të 2019-s”, tha Emilio Garcia Silvero, shefi ligjor i FIFA-s.
Shpenzimet ndërkombëtare përfshinin edhe 73 milionë dollarë të paguara si pjesë e tarifave të transferimit në klube, të cilat më parë ndihmuan në zhvillimin e një lojtari midis moshës 12 dhe 23 vjeç. FIFA pret që qindra miliona të paguhen për të siguruar që klubet të marrin atë që duhet. Megjithëse shumica e marrëveshjeve ndërshtetërore përfshinin lojtarë të lirë dhe pa tarifë transferimi, FIFA vuri në dukje një rekord prej 950 klubesh që shpenzuan para për blerjen e lojtarëve.
Lojtarët brazilianë ishin sërish më të transferuarit në tregun ndërkombëtar, me 2,061 transferime, më shumë se dyfishi i vendit të dytë, Argjentinës. Shpenzimet për ta në total shkuan në 843.2 milionë dollarë. Klubet portugeze bënë 901 transferime të lojtarëve dhe klubet në Brazil lëshuan më së shumti lojtarë, 998.
Kalimi nga Brazili në Portugali ishte rruga më e shpeshtë e lojtarëve. U bënë 338 transferime të tilla. Shakhtar Donetsku kishte numrin më të madh të transferimeve nga të gjitha klubet evropiane, 51. Klubi i dytë në listë ishte Dinamo Zagrebi me 40 lojtarë të transferuar.
Totali i Shakhtarit pasqyron rregullat e transferimit të urgjencës të FIFA-s pas pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, shkurtin e kaluar, që lejoi lojtarët në klube ukrainase të pezullonin kontratat e tyre dhe të largoheshin me marrëveshje huazimi. Lojtarët e huaj në Rusi gjithashtu mund të pezullojnë kontratat. Shakhtari dhe një grup klubesh ruse dështuan në sfidat ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv kundër rregullave të FIFA-s.