Nga 14 deri më 26 mars në Nju Dehli të Indisë do të mbahet Kampionati Botëror i Boksit për kategorinë seniore. Kosova në këtë kampionat synon të marrë pjesë me boksieren, Donjeta Sadiku, por kjo ende nuk është konfirmuar për shkak se India po heziton të lëshojë viza për Sadikun dhe ekipin e saj.
Të shqetësuar me situatën e krijuar dhe me mundësinë e humbjes së mundësisë për të marrë pjesë në këtë kampionat janë shprehur drejtuesit e Federatës së Boksit, si dhe ata të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli ka thënë për KosovaPress, se kjo nuk është hera e parë që India pengon Kosovën të marrë pjesë në gara ndërkombëtare sepse një gjë të tillë e kishte bërë edhe në vitin 2018, por se shpreson që Kosova të mos e pësojë edhe kësaj radhe.
Demolli: Nuk është hera e parë që India bllokon pjesëmarrjen tonë
“Ne kemi aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror në Indi me të gjithë dokumentacionin e duhur për viza dhe ky është muaji i tretë. Ne kemi të njëjta fjalë, ne çdo ditë i dërgojmë e-male Federatës së Indisë, Federatës Botërore IBA, të njëjtën përgjigje na e kthejnë dhe përgjigjja e fundit është dje ku na thuhet se jemi në diskutime ende… Neve Ministria e Punëve të Jashtë (e Indisë) edhe viteve të mëparshme na i ka ndalur vizat për Kosovën për arsye se nuk e njohin si shtet”, tha Demolli.