Kapiteni i Përfaqësusueses së Zvicrës, Granit Xhaka, deklaroi pas barazimit 2:2 në Prishtinë me Kosovën, tha se përgatitjet para ndeshjen nuk ishin në intensitetin e duhur.
“Mënyra se si luajtëm sot ishte ajo si vepruam gjithë javën. Nuk stërvitëm si duhet. Nuk kishte tempo e intensitet, siç duhej të kishte. Sot dukej sikur po luanim ndeshje miqësore, ose po luanim në park. Kështë nuk shkon”, tha Xhaka, raporton “Blick”. “Nuk mund të kalosh nga 0 në 100, kur gjithë javën nuk bën shumë. Asnjë lojtar në botë s’mund ta bëjë këtë”.
Xhaka tha se kritika nuk është vetëm për seleksionuesin Murat Yakin, por për të gjithë.
Deklaratat e Xhakës nuk i pëlqyen seleksionuesit Yakin.
“U stërvitëm si zakonisht, gjithçka ishte nën kontroll. Sigurisht se nuk mund të zbatonim gjithçka siç ishte planifikuar. Por, e kemi edhe një ndeshje tjetër. Nuk mund të supozojmë thjeshtë se do të marshojmë nëpër këtë grup. Do të diskutoj privatisht me Granitin se cila ishte ideja prapa deklaratës që dha”, tha Yakin.
Zvicra pas 5 ndeshjeve kryeson Grupin I të eliminatoreve për “Euro 2024” me 11 pikë, ndërsa Kosova është e pesta me 4 pikë.
