Granit Xhaka ka këshilluar Arsenalin që të fokusohet te puna e tij teksa përgatitet për një përplasje “të madhe” me rivalin kryesor për titullin e kampionit, Manchester City. Kështu shkruan “The Standard” të hënën.
“Topçinjtë” janë aktualisht tri pikë përpara Cityt në krye të Premier Leagues, por ata mund të tejkalohen të mërkurën mbrëma kur dy skuadrat takohen në “Emirates Stadium”.
Arsenali u fut me pesë pikë epërsi në ndeshjet e fundjavës së kaluar, por diferenca u zvogëlua për dy pikë të dielën, pasi londinezët barazuan me Brentfordin (1:1) dhe City mundi skuadrën e Aston Villas (3:1). Barazimi me Brentfordin pasoi një humbje nga Evertoni. Xhaka këmbëngul se skuadra e trajnerit Mikel Arteta po fokusohet te vetja dhe jo fakti që City po e ndjek.
“Nëse jemi të sinqertë, nuk po flasim për të”, tha ai. “Ne po shikojmë veten, ndeshje pas ndeshjeje. Nuk fituam me Brentfordin, morëm një pikë. Dhe e mërkura është e madhe – për ta, për ne. Pra, le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Arsenali kishte mundësinë për të fituar të tri pikët kundër Brentfordit të shtunën, kur Leandro Trossard i dha epërsinë në minutën e 66-të. Brentfordi, megjithatë, u kundërpërgjigj për më pak se 10 minuta përmes Ivan Toneyt dhe në një mënyrë të diskutueshme.
Xhaka ishte i mërzitur pasi ndjeu se Ethan Pinnock ishte në pozitë jashtë loje në gjuajtjen e lirë nga e cila shënoi Toney, duke argumentuar se mbrojtësi i Brentfordit po bllokonte Gabrielin. Shefi i arbitrave të Premier Leagues ka kërkuar falje për gabimet njerëzore që çuan në pranimin e golit.
“Jemi të zhgënjyer sepse ajo që dëgjojmë është se bllokuesi ishte në pozicion jashtë loje, ku e kishim ne lojtarin tonë”, tha Xhaka. “Nuk e di pse i ndryshojnë rregullat fundjavë pas fundjave. Por është vendimi i arbitrit për të mos dhënë ofsajd, vendimi ynë për t’i markuar lojtarët. Ne nuk e bëmë atë dhe pranuam një gol të tillë”.
Arsenali kishte posedimin e topit kundër Brentfordit dhe u përpoq të thyente mbrojtjen e fortë të kundërshtarit, por nuk ia doli. Xhaka pranon se Arsenali duhet të mësohet të luajë me kundërshtarë të tillë “kokëfortë”, pasi po përpiqet të fitojë titullin e parë në Premier League që nga viti 2004.
“Ne jemi të zhgënjyer, sigurisht. E dinim se si do të luante Brentfordi”, tha ai. “Ishte e vështirë t’i thyenim, por ne u përpoqëm. Megjithatë, duhet të bëjmë shumë më tepër dhe po ta kishim bërë këtë ndoshta do t’i kishim marrë tri pikët. Po stërvitemi edhe për këtë, por nuk është gjithmonë e lehtë”, ka insistuar Xhaka. “Nuk arritëm ta fitojmë ndeshjen dhe sigurisht që jemi shumë të zhgënjyer, por tani do të fokusohemi te ndeshja e radhës”.
Mesfushori 30-vjeçar është njëri prej lojtarëve më të dalluar këtë sezon tek Arsenali. Xhaka ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 5 asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat për ekipin nga Londra. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2024, ndërsa së shpejti pritet ta rinovojë të paktën deri në vitin 2026.