Kapiteni i Zvicrës, kosovari Granit Xhaka ka thënë se ndeshja e fundit e fazës grupore të Kupës së Botës në Katar kundër Serbisë u ka marrë shumë forcë dhe energji në aspektin mental.
Ai ka thënë se është dashur të shkonin në limite në përballjen kundër serbëve. Zvicra fitoi përballjen e fundit kundër Serbisë, ndërsa u eliminua në 1/8 e finales nga Portugalia.
“Dueli intensiv me Serbinë na mori vërtetë shumë forcë dhe energji në aspektin mental. Unë e radhis paraqitjen kundër serbëve shumë më lartë se krahasuar me 4 vjet më parë në Rusi. U desh të shkonim në limite”, ka thënë Xhaka në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Keystone-SDA”.
Xhaka komentoi edhe diskutimin nëse meriton të jetë ende kapiten i Zvicrës. Xhaka ka thënë se pak ka rëndësi shiriti i kapitenit.
“Unë kam lindur kapiten”, ka thënë Xhaka. “Shiriti nuk është rezultat i një loje të mirë, janë vite punë e palodhshme dhe e ndershme pas saj. As në Zvicër dhe as jashtë saj nuk mund të më drejtoj njeri gishtin se nuk kam bërë mjaftueshëm. Unë jam krenar me rrugëtimin tim. Dhe, ekspertët nuk duhet të harrojnë kurrë diçka: në futboll gjithçka vendoset në fushë, por asgjë në studio televizive”, u është përgjigjur Xhaka kritikave.
Xhaka ka theksuar se të gjithë lojtarët janë të lirë të shprehin mendimin e tyre. Ai cilësohet me ndikim dhe fuqi të madhe në Zvicër.
“Askush nuk duhet të ketë frikë nga unë. Dua të fitoj, në stërvitje dhe në lojë gjithmonë. Mundohem t’ua përcjelli të gjithëve se vetëm të jesh atje, nuk mjafton. Unë jam po a i ashpër me Breel Embolon, Ricardo Rodriguezin, sa jam me të gjithë të tjerët. Shqetësimi im kryesor është të ndihmoj skuadrën. Bëhet fjalë për paraqitjen, për qëllimin e madh, për asgjë tjetër. Unë e dua suksesin. Nuk bëhet fjalë për Granitin, Embolon apo Akanjin, por për ekipin zviceran”, është shprehur Xhaka.
Në fund të intervistës ka folur edhe për raportin me klubin e Arsenalit dhe trajnerit, Mikel Arteta.
“Ne diskutuam gjithçka. Ai mund të më lexojë më mirë se kushdo tjetër. Mikel e di se si është të jesh poshtë. Ai ndjeu se sa e dhimbshme ishte për mua të largohesha. Por, ka shumë sfida dhe turne tjerë. Unë e pranoj atë”, ka thënë Xhaka.