(20min.ch) – Granit Xhaka është ende i pamposhtur me Leverkusenin, pas 49 ndeshjeve këtë edicion. Tani është në finale të Ligës së Evropës po ashtu.
Granit Xhaka, jeni kualifikuar në finale të Ligës së Evropës. Urime!
Xhaka: Është e pabesueshme. Mund të jemi shumë krenarë me veten. Qartë se ishim ekip më i mirë gjatë dy ndeshjeve, në Romë dhe në Leverkusen.
Sërish goli i barazimit në minutën e 97-të. Çmenduria Leverkusen vazhdon. Si e keni përjetuar këtë?
Xhaka: Ne pamë që ekipi ishte gjallë, që ka shumë kualitet dhe mentalitet. Ne kemi dëshirë të madhe për të fituar ndeshjen. Natyrisht kishte shumë emocione në fund.
Thuajse u shtype derisa po festoje? A ishte në gjendje të merrje frymë?
Xhaka: Nuk isha në fund. Duhet ta pyesim Josip Stanishiqin se si e përballoi (qeshet).
A keni dyshuar se do të vazhdoni edhe këtë ndeshje?
Xhaka: Jo, nuk kam dyshuar. Të jem i sinqertë, do ta isha shumë i dëshpëruar nëse do të pësonim humbje, edhe sikur të kualifikoheshim në finale.
Pasi seria e jashtëzakonshme do të ndalej në ndeshjen e 49-të?
Xhaka: Po, nuk e kemi merituar këtë. Kemi pasur shumë raste të pastra shënimi. Ne thjesht nuk kemi dashur të humbnim në asnjë rrethanë. Humbja 2:1 do të mjaftonte (për kualifikim në finale), por ne kemi dashur më shumë. Nuk jemi shtrirë në fushë dhe nuk kemi humbur kohën. Kemi dashur golin e dytë dhe për ne nuk ka rëndësi nëse shënohet në minutën e 90-të apo 97-të. Ne çdo herë japim çdo gjë që kemi.
Në fakt ishit duke pësuar 2:0. Por dukej se nuk ishit të brengosur.
Xhaka: Nuk dolëm nga loja me këtë rezultat. Ne thjesht do të shkonim në vazhdime. Por gjithnjë ishim të vetëdijshëm se mund të vendosim ndeshjen me një gol. Dhe kishim shumë raste për të shënuar.
A keni menduar para ndeshjes se do të jetë kaq ngushtë sërish?
Xhaka: Jo vërtet, por është ashtu siç është. Rregull i vjetër i futbollit. Nëse nuk realizon, pëson.
Ndeshja ishte e ashpër në momente po ashtu.
Xhaka: Kështu e njohim stilin italian të lojës. Është pjesë e futbollit. Roma ashtu siguroi gjysmëfinalen.
Në fillim tre sulmuesit dhe Florian Wirtz ishin në stol. A jeni befasuar nga vendimi i trajnerit?
Xhaka: Ne e njohim atë dhe e përjetojmë punën e tij çdo ditë në stërvitje. Ai tashmë e di se çka duhet të bëjë dhe këtë e bënë mirë. Ai deri më tani gjithnjë mori vendimet e duhura.
Në javët e ardhshme do të prezantohen trofetë e ligës, Ligës së Evropës dhe Kupës së Gjermanisë. Çka do të thotë kjo për ju?
Xhaka: Nëse jam i sinqertë, më duhet të them se nuk mendoj ende për këtë. Ende jam te gjysmëfinalja që e kemi fituar. Nuk kualifikoheni në finale çdo ditë dhe ne mund të shijojmë momentin. Bundesliga vazhdon të dielën dhe ne do të japim çdo gjë për të mbetur të pamposhtur.