Përzgjedhësi i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, ka lënë të kuptohet se epoka e Xherdan Shaqirit te përfaqësuesja “helvetike” ka përfunduar.
Ai përmend lojtarët në të cilët Zvicra do të mbështetet në të ardhmen. Megjithatë, Yakin pranon se Shaqiri është vështirë të zëvendësohet shpejt.
“Ne nuk e detyruam të largohet. Në fund, ai vendosi që gjërat ishin mirë me përfaqësuese. Unë mendoj se ai po ashtu dëgjoi trupin e tij. Dhe ne kemi të rinj që po zënë hapësirë në ofensivë. Kemi Amdounin, Monteiron, Ndoyen dhe më shumë do të vijnë. Nëse duam të qëndrojmë më gjatë në skenë, duhet të mbështetemi tek ata”, ka thënë Yakin në një intervistë të gjatë për “Blick”, të publikuar të martën.
Yakin u përgjigj një ditë pasi Xherdan Shaqiri kishte lënë të hapur mundësinë për t’u kthyer të luajë për Zvicrën.
Yakin vlerëson kontributin e Shaqirit, njërit prej më të mirëve që ka pasur Zvicra ndonjëherë. Ai thotë se Shaqiri ka ndikuar shumë në atmosferën e ekipit.
“Shaqiri ka sjellë diçka pozitive, në hotel, dhomat e zhveshjes apo në bankën e rezervistëve. E ka këtë aftësi”, është shprehur Yakin.
Shaqiri u tërhoq nga Përfaqësuesja e Zvicrës pas Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”.
Me fanellën e Zvicrës ka debutuar në vitin 2010, ndërsa shënoi 32 gola në 125 paraqitje. Vetëm Granit Xhaka ka më shumë paraqitje se Shaqiri për “helvetikët”. Kapiteni Xhaka ka luajtur 135 ndeshje.
Shaqiri është i vetmi futbollist që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha të futbollit, tri kampionate botërore e tri kampionate evropiane.
Në Evropianin në Gjermani nuk luajti shumë. Por kur ishte në fushë, kryesisht bënte dallimin.
“Shaqiri është lojtar që mund të japë shumë për një ekip. Kemi folur shumë me njëri-tjetrin gjatë përgatitjeve për Evropian. Ai në fakt e ka pranuar mirë rolin e tij dhe është sjellë në mënyrë absolutisht shembullore në çdo situatë. Mendoj se në fund do t’i kishte pëlqyer të kishte më shumë paraqitje në Evropian se sa dy paraqitje që unë munda t’ia jepja. Ndoshta pritja e tij ishte që të ishte gjithmonë i pari që do të ishte në fushë. Por më duhej të mbaja një sy edhe në situatën e lojës”, thotë Yakin.
Yakin është befasuar me përgjigjen që Shaqiri dha për “Blick” sa i përket marrëdhënies së tyre. Shaqiri tha se nuk është dëgjuar me Yakinin pas pensionimit nga përfaqësuesja.
“Menjëherë pas dorëheqjes falënderova Xherdanin dhe Yannin për karrierën e tyre të shkëlqyer në ekipin kombëtar. I përgëzova dhe u thashë se ishte nder i madh për mua të ndaja momente të mrekullueshme me ta në kombëtare. Jam mirënjohës që kam mund t’i njoh si njerëz kaq të respektueshëm. Dhe i urova fat Xherdanit dhe Yannit. Pastaj më befason vërtet dhe më bën pak të trishtuar që tani thotë se nuk është dëgjuar me mua”, është shprehur Yakin.
Ai ka komentuar formën që Shaqiri po e kalon me Baselin. Thotë se prania e Shaqirit në fushë ka rol të madh.
Shaqiri në verë u kthye te Baseli. Në 14 paraqitje kampionale i kishte pesë gola e tetë asistime.
Yakin u është përgjigjur edhe disa pyetjeve për Xhakën. Ai thotë se fjala e Xhakës dhe lojtarëve të tjerë me përvojë ka peshë të madhe. Ka treguar se Xhaka është duke u përgatitur për të ardhmen si trajner.
“Ai është jashtëzakonisht i interesuar për të mësuar. Kur shihemi, ai dëshiron të mësojë më shumë. Kemi vendosur në letër edhe formacionet dhe kemi diskutuar tema taktike. Ai bën shumë pyetje. Për shembull, ka të bëjë me çështjet e lojtarëve nga e kaluara. Për lojtarët që shkaktuan probleme ose për situata të vështira si trajner, si ajo që ndodhi kur vendosa Alex Frein në bankë. Si të trajtohen lojtarët që i afrohen fundit të karrierës”, ka thënë Yakin.
Selektori i Zvicrës ka këshilluar Xhakën të jetë i kujdesshëm kur të nisë karrierën si trajner. Ai thekson se si trajner do ta ketë përgjegjësinë më të madhe.
“Shumë lojtarë që përfundojnë karrierën, kanë ndjenjën se pas karrierës do t’u shtrohet tapeti i kuq. Por jo. Nëse doni të bëheni trajner, duhet të provoni veten shumë shpejt. Askush nuk ju pret. Mos mendoni se dini gjithçka për futbollin. Ju ndoshta mund të merrni 20 ose 25 për qind nga koha juaj si futbollistë profesionistë në jetën tuaj si trajner. Ju mund të mësoni se si të përgatitni stërvitje ose si mund të duket një plan i stërvitjes. Por ka shumë më tepër në fushat e drejtimit, aftësive sociale dhe punës me medie. Së pari ju duhet të punoni për këtë”, ka thënë Yakin.