Fitorja 2-1 e Real Madridit ndaj Barcelonës në El Clasicon e fundjavës u shoqërua me tensione jashtë fushës, pasi janë rritur pakënaqësitë e Vinicius Junior.
Anësori 25-vjeçar brazilian ishte dukshëm i irrituar në minutën e 72-të, kur trajneri Xabi Alonso vendosi ta zëvendësojë me Rodrygon, në një moment kur Real Madridi kishte marrë epërsinë.
Sipas pamjeve televizive, Vinicius reagoi menjëherë me habi dhe zemërim, duke pyetur “Unë?!” dhe duke i bërë thirrje Alonsos gjatë daljes nga fusha.
Ai u pa teksa i thoshte trajnerit me nervozizëm “Hajde Vini, dreqi ta marrë…”, ndërsa më vonë, në pankinë, shpërtheu ndaj ndihmëstrajnerit Sebas Parilla: “Gjithmonë unë. Më mirë të largohem, po iki nga skuadra”, tha Vini Jr.
Sipas gazetës The Athletic, marrëdhënia mes Alonsos dhe Viniciusit është e tensionuar prej muajit korrik, kur trajneri spanjoll ndryshoi pozicionin e lojtarit gjatë Kupës së Botës për Klube, një vendim që braziliani nuk e priti mirë. Kampi i tij thuhet se kishte paralajmëruar që “sezoni nuk do të jetë i lehtë” që në gusht.
Këtë sezon, Vinicius ka përfunduar vetëm tre nga dhjetë ndeshjet ku ka qenë titullar dhe nuk ka nisur tre nga trembëdhjetë ndeshjet e Real Madridit në total. Burime pranë lojtarit e përshkruajnë situatën si “zhgënjim të përsëritur”, pasi ai ndihet i pavlerësuar në raport me ndikimin që ka në fushë.



Incidenti nuk përfundoi me zëvendësimin e tij. Pas fishkëllimës së fundit, Vinicius u përfshi në një përplasje pranë vijës anësore me disa lojtarë të Barcelonës, veçanërisht me 18-vjeçarin Lamine Yamal, me të cilin kishte pasur shkëmbime të ashpra deklaratash edhe para ndeshjes.
Megjithatë, pas ndeshjes, braziliani zgjodhi një ton më të qetë në intervistën për Real Madrid TV. “El Clasico është kështu, ka shumë gjëra brenda dhe jashtë fushës. Ne përpiqemi të ruajmë ekuilibrin, por nuk është gjithmonë e mundur. Nuk duam të ofendojmë askënd, as lojtarët e Barcelonës dhe as tifozët”, ta Vini Jr.
Sipas burimeve të The Athletic, tensionet me Alonson janë thjesht çështje teknike dhe klubi nuk ka ndërhyrë në vendimet e trajnerit.
Megjithatë, situata mbetet delikate, ndërkohë që negociatat për rinovimin e kontratës së Viniciusit janë të ngrira. Kontrata aktuale e tij me Real Madridin skadon në vitin 2027
